“Çështja është përdorur politikisht”
Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ishte i pari ditën e sotme që bëri publike se dy vëllezërit Budina ishin të infektuar me Covid-19.
Regjisori Robert Budina ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin “Zonë e Lirë” në Tv Klan mbrëmjen e kësaj të premteje ku sqaroi situatën.
Ai tha se është lajmëruar në telefon që ka Covid-19 dhe për këtë nuk ka asnjë dokument zyrtar. Budina u shpreh se nuk ka shenja të sëmundjes, megjithatë i ka kërkuar autoriteteve që t’ua bëjnë testin edhe fëmijëve. Por përgjigja për ta ka qenë negative.
Sipas Budinës, e gjithë situata është përdorur politikisht.
“Ku di gjë unë, ja merre vesh nga ai statusi i kryeministrit kam apo nuk kam Covid unë. Më lajmëruan në telefon më thanë që duhet të kisha Covid sipas tyre, por nuk kam asnjë dokument që e vërteton këtë. Aq më tepër kur kërkova që të bëheshin testin fëmijëve meqë unë dola pozitiv, më thanë që jo nuk ua bëjmë fëmijëve se nuk kanë shenja. Po as unë nuk kam shenja, si dola tani me shenja, kështu që kjo më ngre një pikëpyetje për të kuptuar nëse e kam ose jo realisht, nuk di. Nuk e kuptova arsyen pse nuk e bënë fëmijët e mi pasi e nxorrën emrin tim në media. Penalizuan fëmijët që shkonin në shkolla dhe më thanë që atyre nuk ua bëjmë se s’kanë shenja. Kjo më lindi dyshimin dhe nga konsultimi dhe nga diskutimi që pata me zonjën që kreu testin doli që kishte këmbëngulur zonja Silva Bino që ne duhet të bënim testin. Pra ishte një gjë e orientuar pasi doli që një i afërmi i joni që ndërroi jetë para disa kohësh kishte qenë i infektuar pasi kishte dalë nga spitalet në QSUT. Testi nuk më ka ardhur me dokument të certifikuar të vulosur dhe firmosur që rezultoj apo jo i infektuar. Për mënyrën se si u ofrua çështja më linddyshimin që është përdorur politikisht”.
Pas gjithë kësaj situate sipas Budinës fshihet frika e kryeministrit pas prishjes së Teatrit Kombëtar.
“Teatri do ti rikthehet më makth se kurrë atij. Ai është i tmerruar nga ajo që po ndodh me teatrin. Mënyra si këmbëngulën dhe e kërkuan kam dyshimet e mia, por nuk mund ta paragjykoj testin. Për këtë kërkoj dokumentet zyrtare, besoj nuk kërkoj shumë apo jo? Nesër do të bëj një test nga ana ime për të kuptuar se çfarë ndodh realisht”, tha Budina.
Regjisori shtoi se lajmi u bë publik nga kryeministri për të devijuar vëmendjen e publikut pasi sot dolën edhe kushtet e PE-së. Robert Budina paralajmëroi padi për kryeministrin dhe të gjithë personat që i kanë bërë publik emrin.
“Ai ka lënë gjithë hallet e mëdha ju e dini pse e nxorri këtë lajm sot, në ditën kur erdhi një lajm më i rëndësishëm për punën e atyre kushteve. Është shkelje skandaloze e të drejtave të mia personale. Do ta ndjek penalisht jo vetëm kryeministrin, zonjën e ministrisë së Shëndetësisë, ata që kanë nxjerrë të dhënat, atë që bëri testin, të gjithë sëbashku”, tha Budina./tvklan.al