Mbi 5 mijë emigrantë aplikojnë për të kaluar kufirin
Prej fillimit të zbatimit të marrëveshjes me Greqinë për punëtorët sezonalë, nga Dogana e Kapshticës kanë kaluar kufirin drejt Greqisë rreth 5 mijë persona.
Janë vetë punëdhënësit grekë, kryesisht në sektorin e bujqësisë, që marrin përsipër procedurën. Ata paraqesin listat e punëtorëve shqiptarë të përzgjedhur në bashkitë respektive dhe këto të fundit, në pikën doganore të Kapshticës.
“Unë kam nja 2-3 vjet që iki. Na kërkojnë ata në fakt se kanë gjithmonë nevojë sidomos kohët e fundit. Kemi çuar fotokopje të pasaportës tek pronari që do ikim dhe ata kanë aplikuar në bashki dhe ata kanë sjellë dok këtu dhe do ikim”.
“Kam çuar fotokopjen e pasaportës dhe i ka bërë greku të gjitha”.
Për shkak të fluksit të aplikimeve, qytetarët kanë pritur disa orë në doganë, deri në sjelljen e listave emërore nga autoritetet greke.
“Greku na ka bërë letrat, këta thonë s’kanë dal aplikimet”.
“I kemi bërë aplikimet, dogana thotë s’i keni emrat këtu”.
Udhëtimi për në Greqi bëhet në mënyrë të organizuar nga kompanitë e përzgjedhura nga shteti dhe duke respektuar protokollet e sigurisë.
Shumë prej punëtorëve janë të paqartë nëse do t’i nënshtrohen testit të Covid dhe karantinës në vendin fqinj edhe pse këto janë kushte që diktohen nga marrëveshja e punësimit.
Marrëveshja mes dy qeverive parashikon punësimin në Greqi për rreth 10 mijë shqiptarë, për një periudhë tremujore.
Tv Klan