Fluksi i emigrantëve që kthehen në vendet ku jetojnë dhe punojnë ka vazhduar dhe gjatë ditës së sotme duke krijuar një radhë 2 kilometrash në doganën e Kakavijës. Në këtë pikë kalimi deri ditën e shtunë kanë kaluar më shumë se 3000 udhëtarë dhe mbi 740 mjete. Mësohet se në pjesën shqiptare të doganës po punohet me 6 sportele, ndërsa në atë greke me 5 sportele. Gjithashtu autoritet doganore shqiptare dhe ato greke kanë zhvilluar një takim për përshpejtimin e punës në mënyrë për mos krijimin e radhëve të gjata për udhëtarët.

Në portin më të madh të vendit në atë të Durrësit, mësohet se përgjatë 12 orëve të fundit kanë kaluar të paktën 13.000 shtetas si dhe 1735 automjete.

Arben Ibro: “Janë marrë të gjitha masat që normalisht të bëhet një përcjellje që sa më mirë e të gjithë shqiptarëve ose të huajve që kanë ardhur për të kaluar festën e fundvititi në Shqipëri”.

Për përballimin e fluksit të madh të udhëtarëve janë lehtësuar procedurat e kalimit si dhe përpunimit sa më të shpejt të automjeteve duke shtuar numrin e sporteleve që shkojnë deri në 13 të tilla. Fluksi më i madh i lëvizjes së emigrantëve në pikën kufitare të portit të Durrësit pritet të rritet gjatë ditëve në vijim.

Edhe nëpërmjet portit të Vlorës numri i pasagjerëve dhe automjeteve të imbarkuara në drejtim të Italisë ka qenë i madh. Vetëm gjatë ditës së shtunë janë larguar rreth 1000 pasagjerë dhe 400 automjete.

Rezarta Bejkosala: “Drejtoria Rajonale e Kufirit të Emigracionit, ka marrë të gjitha masat e nevojshme për përballimin e këtij fluksi. Janë shtuar 10 sportele, rëndësi e veçantë u është dhënë dhe kontrollit të dokumentacionit për të evituar kalimin e paligjshëm të kufirit”.

Fluksi pritet të rritet akoma më shumë në ditët në vazhdim duke detyruar drejtoritë rajonale në pikat kufitare të marrin masa për përballimin e këtij fluksi dhe evitimin çdolloj trafiku./tvklan.al