Vetëm për muajin Gusht në aeroportin Nënë Tereza kanë hyrë 180 mijë shtetas të huaj dhe shqiptarë.

Një fluks kaq i madh njerëzish s’ishte parë prej vitesh, por edhe këtë vit numri i madh i personave ka rritur problemet në sigurinë e aeroportit Nënë Tereza.

Individë të huaj dhe shqiptarë kanë tentuar kalimin e kufirit me dokumente të falsifikuara me ngjashmëri personash apo me viza fallco.

Urim Rexhepi: “Ka patur dhe shtetas të huaj, sidomos nga vendet afrikane, që kanë tentuar të hyjnë në vendin tonë me dokumente të falsifikuara, të cilët janë kapur nga kontrollorët tanë, si dhe është bërë akt-prapësimi dhe janë kthyer nëpër vendet e tyre të origjinës.”

Vetëm për muajin Gusht janë dy raste të kalimit të paligjshëm me ngjashmëri individësh. Drejtori i komisariatit Rinas, Urim Rexhepi, tregon se vendi ynë është parë si një bazë e mirë strehimi për shumë shtetas afrikan apo persona që kanë probleme me drejtësi në vendet e tyre.

Urim Rexhepi: “Kemi patur rreth 8 raste të personave që kanë hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara, biles kemi pasur raste që kanë kërkuar edhe azil politik, ndërsa më e konsiderueshme ka qenë numri i personave që kthehen të depërtuar në Shqipëri. Vetëm për këto tre muaj janë rreth 300 persona të depërtuar”.

Aeroporti i vetëm, Nënë Tereza, ka një proces zinxhir monitorimi dhe policia kufitare është hallka e fundit e këtij kontrolli, ku skanerit i nënshtrohen dokumente, pajisje personale të shtetasve që hyjnë dhe dalin në të.

Saimir Boshnjaku, drejtor i kësaj drejtorie na tregon se ka patur raste ku individë të caktuar nuk kanë deklaruar shumën e të hollave. Ai na kujton dhe tentativën e kalimit të fëmijëve nga aeroporti.

Saimir Boshnjaku: “Nga ana e policisë kufitare po të shikoni dhe në krahasim me normat ndërkombëtare është një kohë rekord e përpunimit dhe njëkohësisht pa cenuar standardet e sigurisë. Kjo nënkupton që çdo person, i cili do të hyjë apo dalë nga territori shqiptar ka një kohë minimale dhe maksimale të kontrollit dhe ne i kemi respektuar të gjithë këto afate. Mund t’ju përmend rastin e para disa kohëve që një shtetase tentoi të kalonte një fëmijë me ngjashmëri”.

Nga aeroporti Nënë Tereza kemi parë dhe dëgjuar se kanë kaluar drogë, prostituta, fëmijë për qëllime trafiku, kriminelë apo terroristë.

Prej vitesh ai ishte kthyer në një portë kalimi për persona me precedent penal. Sot situata e sigurisë në Rinas është krejt ndryshe.

Urim Rexhepi: “Rinasi plotëson një ndër kushtet kryesore të sigurisë. S’po them shifrën 100%, po them te 98%”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani