Trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës që skuadra e tij do të luajë ndaj Hellas Verona në kampionat.
Tekniku kuqezi deklaroi se ekipi është përgatitur vetëm për fitore, ndërsa sqaroi edhe çështjen e Theo Hernandez.
Sipas tij, atmosfera te Milani është shumë e mirë, ndërsa theksoi se nuk ndihet i rrezikuar për një shkarkim të mundshëm.
“Deri në fund të sezonit, të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira dhe të rëndësishme. Ndaj Veronës na pret një përballje e vështirë, por jemi përgatitur për fitore.
Me Theo Hernandez kam folur para ndeshjes, siç bëj me të gjithë. Situata e tij është shumë e lehtë për tu shpjeguar. Ai ka luajtur shumë, me Milanin dhe kombëtaren e tij. Nuk ka gjetur ende gjendjen e tij më të mirë fizike. Është shumë e rëndësishme për të që të gjejë formën më të mirë. Ne duhet ta rikthejmë atë në gjendjen më të mirë.
Atmosfera në ekip është e shkëlqyer. Ka qenë një javë si gjithë të tjerat. Kam parë një skuadër me besim. Të gjithë e kuptojmë zhgënjimin e tifozëve. Nuk ka njeri që dëshiron të fitojë më shumë se ne. Punojmë për të fituar dhe i kuptojmë tifozët. Ajo që mund të bëjmë është që të ndryshojmë rezultatet.
Të tregohem i sinqertë, nuk ndihem aspak i rrezikuar. Nëse shohim rezultatet, kemi shumë për të bërë. Ne e dimë se çfarë duhet të ndryshojmë në këtë ekip”, u shpreh Fonseca.
Ndeshja Hellas Verona-Milan, do të luhet të Premten në stadiumin “Bentegodi”, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al