Milani do të kërkojë të marrë fitoren e parë në Champions League. Kuqezinjtë përballen këtë të martë me Leverkusen në transfertë, në një sfidë ku synohen tre pikët.

Në konferencën për shtyp, trajneri i Milanit, Paulo Fonseca, vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se janë në një nivel me Liverpool-in.

Sipas tij, ekipi italian i ka të gjitha mundësitë për të dalë me rezultat pozitiv nga kjo përballje.  

“Skuadra tani ka më shumë besim dhe kjo është normale pas dy fitoreve. Megjithatë do të jetë një ndeshje ndryshe, do të jetë një lojë e të njëjtit nivel si ajo me Liverpool-in. Leverkusen është një ekip shumë i fortë dhe që luan shumë mirë në shtëpi. Kanë një identitet loje. Nëse duam të fitojmë, atëherë duhet të bëjmë një ndeshje perfekte.

Leverkusen është një ekip që punon shumë mirë si një trup i vetëm. Mbrohen në bllok dhe janë shumë kompaktë. Është e vështirë të thuash se cilat janë dobësitë e tyre, sepse në përgjithësi janë një ekip shumë i fortë.

Është një stimul për ne, që jemi në gjendje të përballemi me një ekip që mbylli kampionatin e kaluar pa asnjë humbje. Atmosfera atje është e mrekullueshme. Stadiumi do të jetë plot. Ne i kemi të gjitha mundësitë për të treguar një shfaqje të mirë. Jemi një ekip që mund ta konkurrojmë Leverkusen-in.”, deklaroi Fonseca.

Ndeshja Leverkusen-Milan, do të luhet të martën në orën 21:00. /tvklan.al