Tashmë është një fakt që dollari, monedha e preferuar e shqiptarëve, mezi po mbahet brenda kufirit rekord të 100 lekëve të reja. Ekspertët janë ende të paqartë mbi forcimin e dukshëm të lekut, sidomos ndaj dollarit amerikan. Disa nga shkaqet e njohura të rritjes së kërkesës për lek janë sezonale, të tjerat lidhen me normën e interesit dhe strukturën e depozitave në lek, por studiuesit mendojnë se ka disa arsye të tjera ende të paqarta që provokojnë këtë situatë.
“Prezenca e gjithë këtyre faktorëve, natyrisht që është d.m.th. një element për t’u konsideruar, por unë mendoj që në dimensionet e këtij fenomeni janë më tepër sesa aq saç janë zhvillimet që po ndodhin aktualisht në treg.”
Gazetarja: “Që do të thotë, pak a shumë?”
“Që do të thotë, pak a shumë, që mund të ketë faktorë të tjerë jashtë këtyre që janë përmendur dhe që praktikisht ndoshta është për mungesë të informacionit, për mungesë të të dhënave, është e vështirë që të gjykohen për momentin.”
“Mendoj se forcimi i lekut ka ardhur, pikë së pari si pasojë e kërkesës për lek nga emigrantët dhe turistët, por mendoj se ky është një efekt i përkohshëm.”
Forcimi i lekut kërcënon eksportet shqiptare si dhe një forcim i tepruar i monedhës kombëtare që nuk vjen natyrshëm cënon ekulibrat ekonomikë, sipas studiuesve.
“ Në një të ardhme ekonomia duhet të shkojë në ekuilibër dhe që të shkojë në ekuilibër do të nënkuptojë një zhvleftësim të kursit të këmbimit të monedhës dhe për rrjedhojë një mënyrë pra që të vendoset një lloj balance në pozicionin e jashtëm të ekonomisë dhe normalisht parashikimi është që, sa më i madh të jetë vleftësimi, aq më i madh pastaj do të jetë dhe zhvleftësimi.”
“Në prag të zgjedhjeve në vende të ndryshme të botës njerëzit preferojnë të blejnë valutë. Një gjë e tillë ndodh shpesh për shkaqe sigurie pasi njerëzit nuk e dinë se kush do të vijë në pushtet, prandaj mendoj se në të ardhmen do të ketë vlerësim të valutave dhe zhvlerësim të lekut në vendin tuaj.”
Vetëm gjatë vitit të fundit leku shtë forcuar me afro 30% ndaj monedhës amerikane. /tvklan.al