Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini deklaron se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

Në ditën e parë të samitit të ministrave të jashtëm të BE-së të mbajtur në Çeki, kryediplomati italian tha para kolegëve të tij se Roma zyrtare mbështet heqjen e vizave me të gjitha vendet që i kanë plotësuar kushtet e vëna nga evropianët, duke cituar këtu Shqipërinë dhe Serbinë.

Fratini kërkoi një vullnet më të mirë politik për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit. Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe ministrat e tjerë të vendeve anëtare të Bllokut.

Qëndrimi i Brukselit në këtë samit në fakt ka qenë krejtësisht ndryshe nga ai i një viti më parë në lidhje me zgjerimin drejt Ballkanit.

Atmosfera që ka mbizotëruar mes liderëve të diplomacisë evropiane në lidhje me këtë çështje ka qenë pozitive, pavarësisht vështirësive ekonomike që po kalon Evropa në këtë periudhë.

Liberalizimi i vizave dhe vazhdimi i procesit integrues të vendeve të rajonit të Ballkanit ka qenë kryefjala e këtij samiti.

Ne mbështetje të hapjes së dyerve të Evropës kryesisht për Shqipërinë, vetëm pak ditë më parë, Ministri i Jashtëm italian, Fratini, dhe Ministri i Jashtëm slloven u dërgua një letër homologëve të tyre, në të cilën theksonin rëndësinë e lëvizjes së lirë të qytetarëve të Ballkanit dhe shtrirjes së Evropës së Bashkuar përtej kufijve ekzistues, pra drejt Ballkanit./tvklan.al