Maratonës së Tiranës i parapriu këtë të shtunë gara e vrapimit “Fun Run” që mblodhi së bashku 2000 nxënës nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Teksa falenderoi nxënësit dhe mësuesit pjesëmarrës, Kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se kjo garë ka si qëllim angazhimin e të rinjve në sport.

“Jemi shumë mirënjohës për të gjithë ata mësues që janë super të dedikuar në klasat sportive, në jetën e shëndetshme dhe që gjenerata e re e çunave dhe gocave të na bëjë krenarë në të gjitha garat, edhe në garën për 10-ta edhe në garën për të qenë vullnetarë apo në garat sportive. Të gjithë garuesit fitues që morën çmime na dhanë një super shembull që gara dhe vrapi patjetër që është konkurrencë, por është dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të takuar njëri-tjetrin për të krijuar shoqëri të reja.”

Veliaj u ndal edhe tek maratona e së dielës.

“Shpresoj shumë që ashtu siç menaxhuam sot maratonën e të rinjve ashtu ta menaxhojmë nesër maratonën e profesionistëve. Dua të falenderoj të gjithë qytetarët që kanë treguar durim, që kanë spostuar makinat, që kanë evituar të dalin dhe të shtojnë trafik sidomos në këtë ditë, që këtë fundjavë qytetin ia kemi dedikuar totalisht sportistëve.”

Për organizatorët e maratonës, ky event bën promovimin më të mirë të qytetit tek turistët pasi është maratona më e madhe në rajon. Ashtu si çdo vit, garës do i bashkohet edhe Luiza Gega.

Nën moton, “Run as one”, synimi i maratonës është një manifestim për një jetesë të shëndetshme.

Tv Klan