Variantet e reja të Sars Cov 2 vijojnë të shfaqen. Njerëzit në mbarë botën vijojnë të infektohen dhe të humbasin jetën nga sëmundja që ai shkakton. Por a do të përfundojë pandemia në një të ardhme të parashikueshme, apo do të duhet të mësohemi se si të jetojmë me virusin? Shkencëtarët Francis Collins dhe Paul Hunter japin parashikimet e tyre për vitin 2022 dhe më gjerë.
Francis Collins: Shumëçka do të varet nga mënyra se si do të rrisim numrin e vaksinave që do të arrijnë te njerëzit në ato pjesë të botës që ende nuk kanë përfituar nga zhvillimi i mahnitshëm i shkencës. Është e mahnitshme që vaksinat kanë arritur të jenë të sigurta dhe efektive në më pak se 12 muaj. Nuk e kemi parë kurrë më parë. Por, shumë njerëz vazhdojnë të presin. Dhe kështu virusi, Sars Cov 2, vazhdon të bëjë festë të madhe në pjesë të ndryshme të botës.
Shpresa për vitin 2022 është që vaksinat ekzistuese të vazhdojnë të ofrojnë mbrojtje kundër varianteve të reja të koronavirusit, përfshirë edhe variantin Omicron që është identifikuar për herë të parë në Nëntor në Afrikën e Jugut. Por tashmë po kthehet dominues në shumë vende të botës ku është përhapur. Varianti Omicron ka më shumë mutacione se variant ‘Delta’ ndaj shumë studiues kanë dyshime të sigurta se mund ta bëjnë shumë më ngjitës, më të rrezikshëm ose edhe më rezistues ndaj vaksinave aktuale. Doctor Collins ka thënë se shfaqja e Omicron nuk është lajm i mirë, por nuk ka arsye për panik.
Ndërsa drejtuesit e OBSH kanë thënë se është ende herët për të nxjerrë konkluzione, por sipas tyre, kufizimet, kërkesat për mbajtjen e maskës dhe distancimi social kanë dëshmuar se janë masa efektive për të kontrolluar përhapjen e Covid-19. Dhe ato kanë gjasa të mbeten pjesë e jetës sonë edhe gjatë këtij viti që sapo ka nisur.
Shumë vende në Evropë kanë rikthyer masa të tilla, kryesisht kundër të pavaksinuarve, pasi shkalla e infeksionit është rritur ndjeshëm gjatë fillimit të dimrit. Shfaqja e variantit Omicron ka bërë që gjatë fundvitit të 2021 dhe fillimit të 2022 disa vende të vendosin edhe ndalesa udhëtimi.
Paul Hunter, profesor në shkollën e mjekësisë në Norwich në Mbretërinë e Bashkuar thotë se izolimet u kanë dhënë kohë shkencëtarëve për të zhvilluar vaksinat, por shtojnë se efektiviteti i tyre do të zbehet.
Paul Hunter: Kjo është ana tjetër e këtyre ndërhyrjeve jofarmaceutike, ato nuk e parandalojnë kurrë infeksionin. Ato zvogëlojnë përhapjen dhe për rrjedhojë shtyjnë shumë infeksione që do të ndodhnin me herët.
Ai thotë se zhdukja e virusit Sars Cov 2 nuk është opsion, por virusi është këtu për të qëndruar, megjithatë rreziku për jetën e njeriut është zvogëluar shumë.
Paul Hunter: Ky nuk është koronavirusi i parë që ka shkaktuar një pandemi shkatërruese. I fundit ka qenë 130 vite më parë, gripi rus. Dhe, në fund të fundit, virusi qëndron. Virusi që ka shkaktuar gripin rus ka shkaktuar miliona vdekje, vazhdon të jetë me ne, por është vetëm një nga shkaqet e një ftohje të zakonshme. Ekspertë që punojnë në fushën e imunologjisë bien dakord se ky virus brenda pak vitesh do të bëhet shkaktar i një të ftohti të zakonshëm.
Dy ekspertët, Collins dhe Hunter bien dakord se gjatë pandemisë, shkenca ka bërë hapa të mëdhenj përpara veçanërisht me vaksinat e suksesshme Pfizer dhe Moderna, të cilat janë me teknologji të re, me ARN. Shkencëtarët shpresojnë se kjo teknologji e vaksinave ofrojnë mundësinë e modifikimit të tyre dhe të jenë të efektshme për të luftuar variantet e tjera të koronavirusit, por edhe sëmundje të tjera përfshirë edhe kancerin.
OBSH e ka shpallur Covid-19 pandemi në Mars të 2020 dhe deri më tani kjo sëmundje u ka marrë jetën e më shumë se 5.4 milionë njerëzve në mbarë botën.
Klan News