Fundjava ka populluar si asnjëherë tjetër plazhet e vendit që prej fillimit të këtij sezoni veror. Ujërat e Adriatikut dhe Jonit duket se kanë qenë shpëtimi i vetëm nga temperaturat e larta të shfaqura ditët e fundit në të gjithë vendin. Bregdeti i Durrësit ka patur një fluks të madh pushuesish kryesisht nga kryeqyteti të cilët përveç vapës së metropolit, janë munduar t’i shmangen ritmit të përditshëm të punës dhe stresit në Tiranë.

“Uji është pak i ftohtë, fryn një erë po i mirë, i pastër”.

“Sepse jam shumë afër këtij, nuk kisha kohë për të shkuar diku tjetër, jo që më pëlqen, sepse s’ka absolutisht asnjë gjë”.

“Shumë i pastër, ngrohtë, ndjehemi mirë”.

Të shumtë kanë qenë edhe pushuesit në bregdetin e Vlorës. Ashtu si verën e kaluar ata që i janë drejtuar bregdetit kanë marrë me vete të gjithë aksesorët e nevojshëm për një stinë të nxehtë dhe me temperatura të larta. Por ka dhe nga ata që nuk kanë mundësi të shkojnë në det për të kaluar fundjavën.

Dhjetëra qytetarë të Elbasanit kanë zgjedhur ujërat e Lumit Shkumbin për t’u freskuar pavarësisht terrenit jo dhe aq të përshtatshëm. Me gjithë rrezikun që mbartin lumenjtë dhe liqenet, duket se të shumtë do të jenë ata që edhe këtë verë do të bëhen vizitorë të plazheve të pazakonta në pamundësi për të shijuar bregdetin e vendit./tvklan.al

Gazetare: Enkelejda Arapi

Montazh: Vilma Halilaj