Ndryshe nga fillimi i javës që temperaturat ranë ndjeshëm për shkak të rrymave ajrore të të ftohtit polar që përfshinë gjithë Ballkanin, fundjava do të jetë me diell dhe mot të qëndrueshëm.
“Fundjava parashikohet që për territorin shqiptar të sjellë mot të qëndrueshëm. Kjo do të thotë që do të kemi intervale të gjata me kthjellime gjatë orëve të para të mëngjesit dhe mesditës, e më të dukshme priten të jenë në vijën bregdetare. Kthjellimet do të jenë të dukshme për qytetet e zonës së ulët vetëm në orët e mesditës. Pasditja dhe mbrëmja sjellin kalime të lira të vranësirave, të fokusuara në zonat malore, por nuk ka sinjale të kemi prezencë të reshjeve”, tha Hakil Osmani.
Temperaturat rriten ndjeshëm, duke bërë që vlerat maksimale të shënojnë edhe 18 gradë Celcius.
“Vlerat minimale gjatë fundjavës të ngjiten në -1 apo 0 gradë Celcius në qytetet e zonës malore, ndërsa në ultësirat perëndimore do të luhaten nga 3-9 gradë Celcius në vijën bregdetare. Në orët e mesditës do të kemi një tjetër rritje të temperaturave të ajrit, duke bërë që të kemi maksimumin në vlerën 17 apo 18 gradë Celciu. Në fakt janë temperatura rreth 4 gradë më të larta se vlerat normale sa i përket muajit Janar”, tha Hakil Osmani.
Sipas sinoptikanit, gjatë kësaj fundjave nuk do të jetë problematikë as parametri i erës.
Klan News