“Historia e fundjavës” në Klan Plus këtë herë ben apel që të ndihmohet familja Poçi në Hotolisht të Librazhdit. Arben Poçi së bashku me bashkëshorten dhe 4 fëmijët jetojnë në çadër. Arbeni që në moshën 2-vjeçare pësoi një incident që e ka penguar gjithë jetën, pasi dëmtimi në dorë nuk e lejon atë të punojë dhe të kujdeset siç duhet për familjen e tij.
“S’mund të punoj dot. S’më merr njeri në punë”, shprehet ai. Ndërsa e ëma tregon se Arbeni i ka rënë në zjarr kur ka qenë i vogël dhe është djegur. “Mu dogj, më ra në zjarr dhe iu mblodh dora”, shprehet ajo mes lotësh.
Kjo familje në Hotolisht po përballet me vëshirësi të mëdha, ata jetojnë në çadër kur 4 fëmijët duhet të rritet, të ushqehen dhe të edukohen aty. “Kemi një vit e gjysmë rrimë në çadër, aty bie shiu brenda. Fëmijët nuk e përballojnë dot, por e keqja nuk paska fund”, thotë bashkëshorja e Arbenit.
Ky i fundit edhe pse me problem në dorë sërish gjen forcën për të punuar, duke mbledhur bimë medicinale por paratë e mbledhura nga shitja e tyre nuk mjaftojnë për të ushqyer fëmijët. Ata shprehen se marrin me listë në dyqane dhe janë ndihmuar nga shumë banorë të tjerë në fshat.
Arbeni është përpjekur për të ndërtuar dhe një banesë, por nuk ka mundur dot. E gjithë familja Poçi kërkon ndihmë dhe shprehen se duan vetëm një shtëpi, ku dhe fëmijët e tyre në kushte normale. /tvklan.al