Drejtuesi i fondacionit “Fundjava Ndryshe” Arbër Hajdari është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” në Tv Klan, ku ka kujtuar momentet e tërmetit të 26 Nëntorit të vitit 2019 dhe punën e palodhshme që kanë bërë gjatë 1 viti. Ai ka treguar se janë mbledhur rreth 2 milion euro nga donatorë të ndryshëm anë e mbanë botës për ndihma materiale, ndërsa deri më tani janë ndërtuar 13 shtëpi, disa të tjera janë në proces dhe po presin lejën nga qeveria për të ndërtuar një lagje të re në Vaqar.
Mirela Milori: Deri tani si është bilanci, sa është totali i ndihmës që keni dhënë për tërmetin?
Arbër Hajdari: Ndihma materiale që është shpërndarë 5-6muajt e parë për njerëzit që humbën shtëpitë është rreth 2 milion euro që kanë qenë ndihma materiale që erdhën nga donator të ndryshëm anë e mbanë botës. Kurse ndihma për banesa siç e dini ne jemi anëtarë të Komitetit të Rindërtimit të krijuar nga qeveria shqiptare, deri më tani ne kemi blerë disa apartamente që ia kemi dhënë njerëzve që kanë humbur shtëpinë nga tërmeti, janë diku tek 13 shtëpi dhe disa të tjera në proces.
Kurse nga qeveria shqiptare po presim lejet e ndërtimit për të ndërtuar lagjen e re që do ndërtohet nga fondacioni “Fundjava Ndryshe” në zonën Vaqarit. Aty projekti i parë do ketë 21 banesa individuale, është komplet një lagje e re që do ndërtohet nga fillimi, një lagje që do ketë shkollë, një qendër shëndetësore dhe një lagje që do jetojnë njerëz që e kanë shtëpinë në fshatra larg shkollës dhe spitalit. Do i dhurohet toka bashkë me shtëpinë e re. /tvklan.al