Një fëmijë ka humbur jetën dhe katër persona të tjerë janë plagosur, pasi një anije me emigrantë, shumica prej tyre sirianë, është fundosur në brigjet e Libanit.
Ushtria ka thënë se në bordin e anijes ishin 39 persona, në mesin e tyre refugjatë sirianë e palestinezë, por edhe shtetas të Libanit.
Refugjatët po tentonin që në mënyrë të paligjshme të arrinin në Qipro, thuhet në komunikatë.
Sipas hetimeve të para, ushtria në portin Abdeh kishte marrë një sinjal për ndihmë në orët e para të së shtunës, nga anija që po fundosej.
Shumica e personave që po udhëtonin me këtë anije u shpëtuan. Kryqi i Kuq në Liban i ka thënë agjencisë Dpa se shumica e të shpëtuarve janë dërguar në spital për trajtim. Disa nga ta kanë pasur probleme me frymëmarrje./REL