Të gjitha faturat e energjisë elektrike në fund të vitit po rillogariten nga ekspertët çek që kanë mbërritur pranë Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes dhe dëmi do t’u zbritet konsumatorëve në faturën e Marsit ose të Prillit.

OSSH ka pranuar gabimet në përllogaritje por ka mohuar që të ketë patur udhëzime për mënyrën e faturimit.

Nga llogaritjet paraprake të faturimeve të energjisë gjatë kësaj periudhe OSSH bën me dije se rezultojnë mbi 1 milionë dollarë të  keqfaturuara.

Ales Konrad: “Do të rillogariten të gjitha faturat e Janarit dhe do të përshtaten me tarifat e konsumit të Dhjetorit dhe të Janarit dhe do të zbriten nga faturat e Marsit ose të Prillit. Dhe nga kontrolli i parë rezultojnë  rreth 105 milionë lekë që do t’i rimbursohen konsumatorëve për Dhjetorin. Për ankesat e tjera do të kontrollohen në prani të konsumatorit në terren.”

Problemet me faturimin e energjisë kanë detyruar OSSH-në të bëjë një furtunë shkarkimesh.

Josef Hejsek: “Për shkak të keqfaturimit janë pushuar 100 faturistë si dhe drejtori i shitjeve. Nga kontrolli i 3 muajve të fundit të 2009-ës kemi zbuluar 5300 raste vjedhjesh me një dëm prej 235milionë lekë. Vjedhësve do t’u ndërpresim energjinë dhe do t’i çojmë në gjykatë.”

Duke pranuar keqfaturimin e energjisë OSSH ka bërë fajtore stafin e vet dhe sistemin e dobët me të cilin operohet, megjithatë OSSH ju kujton qytetarëve që ankohen se përveç abuzimit shkaqe e tjera që kanë çuar në fatura të shtrenjta janë edhe rritja e konsumit me rreth 30% për shkak të sezonit të dimrit si dhe shtrenjtimi i energjisë prej 1 Janarit me rreth 13%./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro