Përballë ankesa të qytetarëve në lidhje me faturimin e energjisë elektrike OSSH përgjigjet se do t’i trajtojë ato.

Drejtori i OSSH-së gjatë një dalje për mediat pranoi problematikë e faturimit të një pjese të energjisë për konsumin gjatë Dhjetorit me çmimet e reja që hynë në fuqi më 1 Janar.

Sipas tij OSSH-ja e ka të pamundur teknikisht të shmangte këtë faturim, të njëjtën gjë ka bërë dhe OSSH në mars të 2008, kohë kur ishte ende e pa privatizuar.

Josef Hejsek: “Shoh që këto fatura gjithashtu janë bërë dhe fokus i sferës politike këtu. Në fakt faturat e janarit mbulojnë periudhën kur bëhen matjet, pra periudhën e matjeve, sepse ne nuk mund ta bëjmë këtë faturë le të themi në fund të muajit të dhjetorit apo  në  fillim të janarit, sepse nuk kemi dhe persona ta bëjmë këtë dhe nuk do ta bëjmë një gjë të tillë, ndërkohë që sa u përket ankesave, sepse e dimë që ka ankesa do donim t’ju thonim në emër të CEZ-it se ne e bëjmë matjen e kësaj energjie në të njëjtën mënyrë siç e ka bërë OSSH-ja në mars të vitit 2008”.

Në lidhje me ankesat e konsumatorëve Ministria e Energjetikës i ka dërguar një letër OSSHS-së, ku i kërkon informacion.

Matilda Merxhani: “Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ka vendosur të ngrejë një grup inspektimi për të verifikuar këto ankesa, në të njëjtën kohë ministri Dritan Prifti i ka dërguar një letër Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për të kërkuar mbledhjen urgjente të bordit drejtues të OSSH”.

Për këtë çështje ERE i ka kërkuar OSSH-s të bëjë disbursimin për faturimin e konsumatorëve.

Bujar Nepravishta: “Është e pa drejtë që qytetarët konsumin e energjisë elektrike në ditët e dhjetorit ta paguajnë me çmimet e janarit. I jemi drejtuar zyrtarisht OSSH-s që për ditët e dhjetorit të cilat janë paguar me tarifat e janarit, kjo diferencë duhet të kompensohet nga ana e OSSH-së në muajt në vazhdim. Sipas Hejsek disbursimi do të ndodhë vetëm në rastet kur është faturuar pjesa me e madhe e dhjetorit me tarifa të reja.

Josef Hejsek: “Nëse këto raste vërtetohen pra në qoftë se ka fatura të cilat janë faturuar me këtë tarifë për pjesën më të  madhe të dhjetorit, atëherë vetëm nëse këto raste vërtetohen do të diskutohet dhe do të gjejmë ndonjë zgjidhje. Kemi marrë një vendim shumë të qartë për këtë vit se do të ndryshojmë këtë sistem faturimi, do ta përmirësojmë këtë sistem faturimi, që të mos kemi më çështje apo probleme të tilla në të ardhmen”.

Kreu i OSSH-së pranoi dhe rastet e mbifaturimit, duke shtuar se ata punonjës janë ndëshkuar duke mos qenë më pjesë e kompanisë. Hejsek tha, se OSSH ka në plan vendosjen e matësve të rinj që do të transmetojnë faturimin në mënyrë elektronike, po ashtu kompania tha, se po punon për eliminimin e vjedhjeve në rrjet./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro