“Mos e çoni votën dëm në drejtim të koalicionit të Gërdecit”, kështu është shprehur kryesocialisti Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të partisë Socialiste në qarkun e fierit. Gjatë prezantimit Rama u ndal tek fakti se donte që deputeti i vrarë Fatmir Xhindi, të ishte i pranishëm teksa prezantoi të birin e Anduelin si deputetin më të ri të këtij qarku.
Edi Rama: “Mos e çoni votën tuaj dëm, mos e çoni votën tuaj kot, mos e hidhni fuqinë e investimit që keni në dorë në atë drejtim ku prej 18 vjetësh kjo fuqi kthehet vetëm në një mundësi përfitimi për politikanët, që do të thotë edhe 4 vjet të tjera me Sali Berishën, me koalicionin e Gërdecit dhe me tjera trazira e zullume që mund të vijnë nga të gjitha anët në rast se vota nuk shkon për PS-në. Kjo është koha jonë, ne do fitojmë sepse Shqipëria nuk mund të humbasë.”
Po ashtu kryetari i selisë rozë, teksa kërkoi votën e banorëve të Fierit argumentoi se ajo është për ndryshimin.
Edi Rama: “Kjo bindje dhe nevojë historike për ndryshim më ka sjellë edhe këtu për t’ju thënë se dua të bëhem kryeministri i Shqipërisë që loja e vjetër të mbarojë. Që përbalta e politikës së vjetër të shterojë dhe që në politikë e re e juaja, me ju dhe për ju të ndryshojë qeverisjen dhe jetën e vendit.”
Rama premtoi se pas fitores së zgjedhjeve të 28 qershorit, do ta bëjmë Shqipërinë moderne, evropiane duke i dhënë një hov zhvillimit social.
Edi Rama: “Pas 29 ditësh unë dua ta sjell qeverinë e Shqipërisë tek ju. Dua ta çoj në çdo qytet dhe në çdo fshat, dua ta bëj një instrument ndryshimi në duart tuaja.”/tvklan.al
Gazetare: Brunilda Cami