Kryeministri Sali Berisha ka inauguruar rrugën Korçë-Qafë Plloçë, e gjatë 19 km dhe me një vlerë prej 2.2 milion eurosh. Në fjalën e tij kreu i qeverisë ka deklaruar se kjo rrugë është shumë e rëndësishme për Korçën, Bilishtin dhe liqenin e Pogradecit për zhvillimin e turizmit.
Sali Berisha: “Këto ditë fillojmë ndërtimin e 70 km të tjera të cilat do të kalojnë në një gjurmë krejt tjetër, në gjurmën e rrugës Egnatia Qafë Plloçë-Qukës. Me ndërtimin e kësaj rrugë dhe rrugës së re Elbasan-Tiranë distanca Korçë-Tiranë më shumë se përgjysmohet. Pra Korça afrohet shumë me Tiranën, prodhim i fuqishëm i këtij rrethi, ndoshta më i fuqishmi në Shqipëri. I afrohet tregut të metropolit.”
Kryeministri Berisha nuk ka lënë pa sulmuar përsëri kryetarin e PS Edi Rama, duke ftuar atë të shikojë ndryshimin që është duke ndodhur në të gjithë Shqipërinë.
Sali Berisha: “Unë pashë dje kryetarin e ngratë s’po di të them të 99 apo të PS. E them këtu i ngratë, sepse pasi kishte dal nga vila e tij në Dardhë, që s’e e ka deklaruar se e fsheh në emra të bashkëshorteve rastësore, por se ka deklaruar, kishte shkuar kishte gjet një shkollë të rrënuar edhe derdhte lot krokodili. I them zotit Rama hiqi gjyzlykët e kollagjerit, lëre mënjanë mendjen e Blushit dhe më mirë prano këtë realitet që po ndryshon me shpejtësi të madhe.”
Kreu i ekzekutivit ka deklaruar përpara të pranishmëve se projekti Korça europiane është duke shkuar në rrugë të mbarë dhe kjo është një meritë e padiskutueshme e të gjithë qytetarëve të Korçës./tvklan.al
Gazetare: Daniela Zisi