Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia, ka vazhduar turin e tij elektoral në komunat e Macukullit dhe Sejanit të rrethit të Matit. Spahia i ka kërkuar votën matianëve, pasi ardhja e nacionalistëve shqiptar në pushtet do t’u kthejë atyre por edhe gjithë shqiptarëve nderin, dinjitetin dhe qeverisjen, që do ta çojnë Shqipërinë drejt integrimit evropian.

Ekrem Spahia:- “Për dikë mund të quhet e vogël, por ne kemi qëndruar të vegjël se kemi rritur PD dhe përderisa realiteti shqiptar është i dhimbshëm dhe socialistët janë në pushtet, ne kemi marrë përsipër një aksion të madh politik, për të ardhur në pushtet dhe vetëm ardhja e legalitetit, e nacionalistëve shqiptarë nderin, dinjitetin dhe qeverisjen e shqiptarëve”.

Kreu i demokristianëve shqiptarë Nikollë Lesi, ka prezantuar kandidatin e kësaj partie në Velipojë, zotin Dedë Kaçaj. Lesi ka premtuar, se menjëherë sapo të fitojnë mandatin për tre vitet e ardhshme të qeverisjes lokale, do ta kthejnë komunën e Velipojës në bashki. Kjo është një arsye e ortë sipas Lesit për të votuar për demokristianët.

Nikollë Lesi:- “Demokristianët duke fituar Velipojën dhe disa komuna në Shqipëri, do të tregojnë se janë forcë politike në rritje dhe do të futen në katër partitë kryesore të Shqipërisë”.

Durim Faslliu është kandidati ballist për bashkinë e Kavajës. Kryetari i PBK Shpëtim Rroqi, gjatë prezantimit të Faslliut është shprehur përpara elektoratit të Kavajës, se vota për të është alternativa më e mirë për të ardhmen ndryshe.

Mjaft më me bashkiakët që iu trokasin në portën e shtëpisë në fushatë dhe ju mbyllin derën e zyrës më pas. Kreu i demokratëve të reformuar Genc Pollo ka qenë dje në Peqin, ku ka prezantuar kandidatin e PDR për zgjedhjet lokale Ali Gripshtin. Pollo iu ka bërë thirrje banorëve të Peqinit, të votojnë ata kandidatë që pas fushatës të mos i harrojë, duke mos u zgjidhur asnjë nga hallet e tyre./tvklan.al

Gazetare – Elja Zotka