Nesër ndeshjet e para: Teuta e nis me Tërbunin e Pukës
Pas 6 javësh bojkot, futbolli në vendin tonë rikthehet me ndeshjet e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Të dielën duke nisur nga ora 13:30, skuadrat nga të gjitha kategoritë e futbollit në vend do të zbresin në fushën e blertë për të tentuar kalimin e turit në turneun e dytë për nga rëndësia në vend.
Mbajtësja e trofeut të Kupës, Teuta e nis mbrojtjen e titullit përballë Tërbunit të Pukës në një sfidë që nuk do të jetë e vështirë për bregdetarë, të paktën në letër.
Pas aventurës në Europë ku shkoi deri në raundin play-off të Europa League, Tirana do të masë forcat me Shkumbinin, me takimin që do të luhet në fushën stërvitore “Skënder Halili” për shkak se “Selman Stërmasi” po i nënshtrohet riparimit të tapetit.
Kukësi nuk pritet ta ketë të vështirë përballë Maliqit, me duelin që do luhet në një prej komplekseve private të kryeqytetit. Partizani do të udhëtojë drejt Librazhdit për të sfiduar Ilirinë e Fushë-Krujës.
Dueli më interesant i këtij turi është ai mes Flamurtarit dhe Dinamos. Dy skuadra me mjaft histori, por që sezonin e ri do jenë pjesë e Kategorisë së Parë, niveli i dytë i futbollit në vend.
Në duelet tjera spikasin Kastrioti-Burreli, Luftëtari-Elbasani, Vllaznia-Devolli dhe Skënderbeu-Tomorri. Takimet e këtij raundi do të jenë teke dhe kundërshtari i radhës do të mësohet me short të lirë.
Klan Plus