Kapiteni i Manchester United, Harry Maguire, ka dalë para gjykatës këtë të shtunë pasi u arrestua në Greqi pas një sherri gjatë pushimeve. Ai është shprehur se është i pafajshëm, ndërkohë që më vonë u la i lirë.
Për mbrojtësin 27-vjeçar do të caktohet një tjetër seancë gjyqësore, ku mund të përfaqësohet nga avokati i tij. Ndërkohë mbrojtësi mund të largohet nga Greqia dhe të rikthehet në shtëpinë e tij në Manchester.

Megjithatë mbetet e paqartë se çfarë akuzash rëndojnë mbi të. Maguire nuk ka komentuar asgjë pasi doli nga gjykata, por avokatët e tij thanë se ai ishte njeri i lirë tani.
Në dosjen e hapur për të dhe dy persona të tjerë akuzat flasin për dhunë ndaj zyrtarëve, mosbindje, dëmtime në trup, fyerje dhe tentativë për të korruptuar oficerët e policisë.

Harry Maguire u përfshi në një sherr të premten në ishullin Mykonos ku po kalonte pushimet sëbashku me disa shokë të tjerë të skuadrës. Ata u zunë me një grup tjetër pasi pretendonin se po u ngacmonin femrat me të cilat po shoqëroheshin. Megjithatë Maguire goditi edhe oficerët pas ndërhyrjes së tyre për të shuar konfliktin.

Në një deklaratë, policia thoshte se pas dërgimit të tyre në stacionin e policisë, Maguire dhe dy personat e tjerë të arrestuar rezistuan me forcë, shtynë dhe goditën tre oficerët e policisë. Gjithashtu një prej tyre u ka ofruar para që çështja të mos çohej në gjyq. /tvklan.al