Një ditë më parë emisioni “Stop” transmetoi videon e gjyqtares së Elbasanit Pajtime Fetahu, e cila iu hakërrye gazetarit Genci Angjellari, ndërsa ky i fundit e pyeste për një dosje korrupsioni, ku implikohej gjyqtarja në fjalë.
Shoqatat e mediave në vend, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kanë dënuar aktin e gjyqtares dhe kanë kërkuar marrjen e të gjitha masave ndaj saj nga institucionet e drejtësisë.
“Ne dënojmë presionin që i bëhet hapur një gazetari, vetëm pse bën detyrën, në denoncimin e një akti korruptiv të një gjyqtareje”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë.
Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dënon ashpër sjelljen e Fetahut. “Sjellja dhe komunikimi i gjyqtares Pajtime Fetahu me gazetarin Genci Angjellari janë fytyra reale e gjyqtarëve skandalozë dhe të pa përgjegjshëm”.
“Gjuha fyese, sjellja nervoze dhe patologjike, mungesa e plotë e etikës së komunikimit dhe sidomos ikja prej përkatësisë profesionale, e bëjnë këtë rast një shembull të plotë të papërgjegjshmërisë juridike të vetë gjyqtares”.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë kërkon nga autoritetet më të larta të sistemit të drejtësisë në vend, ta marrin në shqyrtim këtë rast dhe të ushtrojnë masat ligjore ndaj gjyqtares Pajtime Fetahu. Unioni i Gazetarëve fton gjithashtu gazetarët dhe organizatat që mbrojnë lirinë e fjalës të reagojnë me të gjitha format ndaj kësaj protagonisteje abuzuese të sistemit aktual gjyqësor në vend”./tvklan.al