Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Gafurr Adili i shpallur fajtor, për nxitje të urrejtjes kombëtare, pritet të kërkojë azil politik në Shqipëri. Vetëm disa ditë pasi doli nga burgu, Adili me shtetësi maqedonase, iu komunikua urdhri i Ministrit të Rendit, për largimin nga Shqipëria, si person i padëshiruar.

Bashkë me Taip Mustafajin edhe ky i gjykuar nga gjykata e Tiranës, për nxitje të urrejtjes kombëtare, Adili ka qenë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, e cila i komunikoi mbrëmë, se deri në orën 12 të ditës së sotme, duhej të largohej nga vendi. Taip Mustafaji ka sqaruar në emër të Adilit, se ky i fundit nuk është udhëheqës i AKSH, por i FBKSH dhe se të dy nuk do të largohen nga Shqipëria.

Taip Mustafaji:- “Është problemi, se Gafurr Adili nuk posedon asnjë dokument për udhëtim dhe për momentin do shohim se në cilin shtet duhet të shkojmë. Këtu është një politikë e qeverisë shqiptare, e drejtuar kundër Bashkimit Kombëtar Shqiptar. Gjithë këtij presioni që bën qeveria shqiptare, ne nuk do të largohemi prej rrugës për Bashkimin Kombëtar Shqiptar, se e kemi amanet gjakun e dëshmorëve që e derdhën gjatë këtyre viteve”.

Sipas Ministrisë së Rëndit, Adili i plotëson disa nga kushtet e parashikuara nga ligji për të huajit për shpalljen e tyre të padëshirueshëm. Për shembull në rastet kur veprojnë ose propagandojnë kundër sovranitetit, sigurimit kombëtar, rendit kushtetues, kur janë anëtar të organizatave terroriste, kur ka dyshime se hyjnë në Shqipëri, ose qëndrojnë në Shqipëri, për të kryer një krim, ose përbëjnë kërcënim për shtetin.

Megjithatë Adili sapo ka animuar vendimin e Gjykatës së Tiranës në Gjykatën e Apelit. Kjo do të thotë, se ndaj tij nuk mund të ndërmerret përzënia nga vendi ynë, pa u dhënë vendimi i formës së prerë nga drejtësia, për fajësinë ose pafajësinë e tij. Nga ana tjetër Gafurr Adili, i shpallur i padëshiruar edhe nga Zvicra, rrezikon të burgoset sërish në Maqedoni, pasi për të ka një urdhër arresti./tvklan.al