I ftuar në emisionin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë aktori i njohur dhe pedagogu Genc Fuga i cili ka treguar si e ka kaluar këtë periudhë pandemie dhe si po e zhvillon mësimin online me studentët. Ai mes humorit ka treguar se mësimi online e ka bërë që të njohë të gjithë prindërit e studentëve dhe shpesh herë t’i shohë me tava nëpër duar.
Mirela Milori: Gjithçka është online, teatri, mësimi online. Si je si pedagog, si po e kalon këtë?
Genc Fuga: Kam një prirje që të gjej humorin në shoqërinë shqiptare dhe e vërteta është që kjo shoqëri ofron jashtëzakonisht shumë humor. Jam në fazën që me studentët duhet të bëjmë mësimet online, kryesisht duhet të shpjegojmë veprën e Shekspirit dhe për më tepër ta materializojmë atë. Sigurisht jemi online, kategorikisht njoh të gjithë prindërit që nuk i kisha parë më përpara. Është e mrekullueshme sesi kërkoj vëmendjen e studentëve duke i folur për Shekspirin 1600-ën, atë mrekulli, galeri të tërë personazhesh edhe pastaj është prindi me një tavë në dorë që thotë “më falni, prapë patate për drekë apo jo?” dhe ikën, kalon.
Patjetër që është një e qeshur nga të dyja anët dhe studentët kuptojnë që nuk është vendi i duhur për të folur për Shekspirin. Kam hallin e lëndëve të tjera që po zhvillohen si beteja skenike apo lëvizja, kërcimi apo hapat janë në telashe më të mëdha (qesh). /tvklan.al