Në gjyqin ndaj Fatmir Mediut këtë të mërkurë në GJKKO, për dosjen “Gërdeci”, u paraqitën për të dëshmuar 5 ekspertët që kanë përcaktuar dëmin e demontimit në vitin 2008.
Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News Gligona Daci, seanca nuk u zhvillua për shkak të mungesës së dy prokurorëve të posaçëm Arben Kraja e Klodian Braho, të cilët kishin njoftuar gjykatën se ndodhen në një aktivitet për shkaqe pune. Por pavarësisht kësaj, ekspertët deklaruan në gjykatë se nuk kanë pse të jenë pjesë e procesit.
“Kemi qenë të atashuar në prokurori për shkak të detyrës që kemi patur, por nuk kemi qenë të licensuar. Nuk mbajmë mend çfarë kemi bërë përpara 16 vitesh. Atë që kemi patur për të thënë e kemi bërë përpara 16 vitesh përballë prokurorit Sokol Stojani. Si mund të përgjigjemi ne sot kur kanë kaluar 16 vite. Unë nuk jam ekspert, të vijë prokurori Stojani në gjyq me të cilin kemi folur në atë kohë.”
Një tjetër ekspert mbajti të njëjtin qëndrim.
“Jemi mbi 70 vjeç, çfarë mund të dëshmojmë për diçka kur ka kaluar kaq kohë. Sa akte kemi bërë ne si mund të pretendohet të mbajmë mend të gjitha”.
Gjyqtarja Irena Gjoka iu tha dëshmitarëve se “jeni të detyruar të jepni shpjegime para gjykatës për një akt që e keni bërë ju”.
Ndërkohë seanca e radhës u la më 12 Qershor në ora 09:00.
Klan News