Kreu i SPAK Altin Dumani së bashku me 4 prokurorë Arben Kraja, Adnand Xholi, Elida Kaçkini dhe Vladimir Mara kanë udhëtuar drejt Brazilit.
Mësohet se Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet për çështjen e trafikut të drogës nga Amerika Latine në drejtim të vendeve të BE dhe Shqipërisë. Burimet i thanë Klan News së bëhet fjalë për një ngarkesë droge që u kap në Spanjë në vititn 2021. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme në këtë shtet u arrestua shqiptari Ismail Zeneli. Ai dyshohet si një nga organizatorët e trafikut të drogës nga Brazili dhe Ekuadori në Europë.
Në njoftimin e asaj kohe SPAK deklaronte se ky shtetas koordinonte me bashkëpunëtorët e tij transportin e drogës drejt porteve europiane, kryesisht në Valencia të Spanjës. Pas prangosjes ai u ekstradua në Shqipëri. Autoritetet shqiptare e akuzojnë edhe për planin e vrasjes ndaj dy vëllezërve. Emri i tj i zbulua nga bisedat në apliakcionin SKY ECC.
Vizita e drejtuesve të SPAK në Brazil dyshohet se ka lidhje edhe për një ngarkesë kokaine që u sekuestrua në këtë shtet në vitin 2019. 617 kg drogë ishte e ndarë në disa pako që mbanin logon e skuadrës së Elbasanit.
Kjo është vizita e parë e këtij niveli nga SPAK që udhëton drejt Brazilit për të hetuar përfshirjen e shqiptarëve në trafikun e drogës. Shumë ngarkesa dështuan të shkonin në destinacion për shkak të prishjes së pazarave.
Klan News