Baritoni i mirënjohur shqiptar, Gëzim Myshketa çeli stinën lirike në një nga teatrot më prestigjioze botërore, në Operan Kombëtare të Japonisë, me rolin kryesor të Vilhelm Telit.
Shfaqja me të njëjtën emër, që portetizon karakterin e njohur të heroit zviceran, një kryevepër e kompozitorit Gioachino Rossini, ishte premierë absolute për publikun artëdashës japonez, që e mirëpriti.
Nga Tokio, baritoni Myshketa që ka prekur skenat më prestigjioze operistike, tregon emocionet e debutimit, dhe këtij suksesi të radhës.
Vepra operistike me katër akte, që mban firmën e regjisorit legjendar francez Yannis Kokos, u ekzekutua nën dirigjimin e Drejtorit të Teatrit, maestros Kazushi Ono.
“Prezenca e Gëzimi Myshketës ishte fantastike, kaq e fortë në shfaqje, duke i dhënë në fund të saj ëmbëlsinë e duhur të interpretimit. Me të vërtetë një punë e shkëlqyer”.
Gëzim Myshketa mbetet interpretuesi shqiptar në vokalin e baritonit me karrierën me brilante ndërkombëtare. Impenjimet e tjera do ta gjejnë atë në Operën e Shtetit në Hamburg së bashku me sopranon e madhe shqiptare Ermonela Jaho, më pas në Operën Mbretërore të Madridit me “La Traviata“, dhe sërish i impenjuar me Fondacionin Arena di Verona.
Tv Klan