Gëzim Myshketa, baritoni i njohur ndërkombëtarisht, është rikthyer në Durrës pas 12 vitesh me një koncert recital madhështor në Amfiteatrin Antik.
I shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, Myshketa interpretoi një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke ofruar për të gjithë të pranishmit jo vetëm një koncert me pjesë operistike nga disa nga ariet më të njohura botërore si ato nga operat “Karmen” apo “Traviata”, por edhe pjesë emblematike si “Për ty atdhe”, pjesë nga kompozitori i famshëm Ennio Morricone, Nino Rota etj.
Megjithëse ka performuar në shumë skena botërore, para shumë personaliteteve të famshëm, ky koncert gala në vendlindje mbarte një emocion të veçantë për Myshketën.
I emocionuar për rikthimin në Durrës pas 12 vitesh, Myshketa theksoi se ky koncert ishte një detyrim që ndiente ndaj qytetit të tij të lindjes.
Gëzim Myshketa, artist: Në Durrës, në Amfiteatër, në këto rrugë ku jam rritur me fytyrat e njerëzve që më kanë para që fëmijë të rritem është një emocion i jashtëzakonshëm. Me familjen time aty në rrjesht të parë ishte një obligim ndaj qytetit sepse kaluan shumë vite në fakt, 12 vite dhe ja ku jemi këtu më në fund dhe jam shumë i lumtur t’i këndoj Durrësit.
Koncerti, i cili u ndoq nga dhjetra qytetarë dhe të ftuar nderi, përfshirë presidentin e Republikës së Shqipërisë u duartrokit fort nga të pranishmit.
I titulluar “Durrës opera art of singing”, iniciativë që lindi si një ëndërr e këngëtarit lirik për t’i dhënë një tjetër peshë qytetit të tij të lindjes në fushën operistike, u organizua në bashkëpunim me Bashkinë Durrës, Qendrën Kulturore “Aleksandër Moisiu” dhe Qendra Muzeore Durrës.
Klan News