Me afrimin e shpejtë të Lojërave Olimpike të Parisit, temperaturat e verës do të vazhdojnë vetëm të jenë të larta, duke shkaktuar këshu sfida për sportistët.
Temperaturat pritet të rriten përsëri përgjatë kësaj vere, dhe megjithëse është shumë herët për një parashikim të saktë për korrikun, agjencia kombëtare e motit Meteo-France ka bërë të ditur se ka shumë të ngjarë që moti të jetë më i nxehtë se normalja.
Gjithashtu nuk do të ketë ajër të kondicionuar në dhomat e atletëve në Paris 2024, i cili është zotuar që këtë vit Lojrat Olimpike në Francë do të jenë ekologjike që do të thotë se atletët olimpikë do të duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje temperaturave të trupit të tyre ndërsa stërviten, rikuperohen dhe garojnë.
“Mund të jetë shumë nxehtë në Paris, siç ishte në Tokio gjatë Olimpiadës së fundit. Dhe kjo rritje në temperaturën e mjedisit ka shumë efekte në performancën e sportistëve.”
Universiteti Stanford, në Zonën e Gjirit të Kalifornisë, është i njohur për atletët olimpikë me të paktën një medalist në çdo Olimpiadë që nga viti 1912, dhe atletët që kanë fituar 26 medalje në Tokio dhe 27 në Rio.
Shkolla ku atletët kanë ndjekur leksione si dhe janë trajnuar u ka dhënë studiuesve si Heller një mundësi për të studiuar rregullimin e temperaturës së trupit të atletëve dhe afërsia me Silicon Valley ka lejuar që teknologjia të hyjë në fushën e lojës.
Heller shpiku së bashku CoolMitt, një pajisje e veshur si dorashka në dorë që ndihmon në nxjerrjen e nxehtësisë ndërsa ftohet gjaku i cili qarkullon përsëri në zemër dhe në muskujt e atletit. Është projektuar për t’u përdorur gjatë pushimeve në lojëra, midis përsëritjeve të ushtrimeve në palestër, ose çdo pushimi të shkurtër në stërvitje ose garë.
“CoolMitt është një pajisje që largon në mënyrë shumë efikase nxehtësinë nga thelbi i trupit. Dhe arsyeja pse kjo është e rëndësishme janë zbulimet që kemi bërë disa vite më parë se kontraktimi i muskujve është kryesisht për shkak të rritjes së temperaturës së muskujve. Nëse nxirrni nxehtësinë nga thelbi i trupit, kjo parandalon ngritjen e nxehtësisë në muskujt aktivë dhe ata vazhdojnë të punojnë. Pra, ajo që bën CoolMitt është që parandalon hiperterminë, rritjen e temperaturës së trupit në një nivel të rrezikshëm. Për këtë arsye ju mundëson të keni një performancë më të lartë.”
Sipas një studimi, CoolMitt, i cili është përdorur nga USA Wrestling dhe skermisti amerikan Alex Massialas, synon ato sipërfaqe të lëkurës, të cilat janë pjesë pa qime të trupit që përmbajnë struktura të specializuara vaskulare që lehtësojnë humbjen e nxehtësisë.
Pasi vendoset në dorë, pëllëmba mbështetet në një jastëk me ujë të vendosur në 10 deri në 12 gradë Celsius. Pajisja nxjerr nxehtësinë jashtë ndërsa ftoh gjakun e atletit përpara se të arrijë nivelin e ngushtimit të enëve të gjakut në trup duke ngadalësuar rrjedhën e gjakut.
Tyler Friedrich, drejtor i asociuar i atletikës për performancën e aplikuar në Universitetin Stanford, punon me atletë në kampus, duke përfshirë disa që shkuan në Tokio dhe ka të ngjarë të shkojnë në Paris.
“Në fund të fundit, siç e dimë se nxehtësia bën që funksionet muskulore të reduktohen në disa raste. Është një mekanizëm sigurie. Është ajo që e mban trupin të mos dëmtohet plotësisht. Dhe kështu ne e dimë sikur po nxehemi, nuk do të performojmë në nivelin që duam ose që duhet të jemi. Dhe kështu rregullimi i nxehtësisë dhe i temperaturës në disa raste mund të jenë kritike dhe jetike për performancën në një nivel të lartë.”
Friedrich shprehet se banjat me akull dhe peshqirët e ftohtë përdoren shpesh nga atletët, por nuk janë domosdoshmërisht efektive.
“Ne e përdorim CoolMitt në një nivel mjaft të lartë këtu për shumë sporte, si brenda ashtu edhe jashtë. Dhe kjo ka qenë një metodë vërtet efektive për ne. Është super i lehtë, për t’u administruar. Dhe atletët tanë e kanë vënë re ndryshimin. Ata e vërejnë veten që nuk djersiten aq shumë. Atletët e ndjejnë veten më mirë dhe kur janë në fund të garës që po zhvillojnë. Kjo gjë ndikon si për performancën psikologjike, por edhe për rezultatet dhe performancën aktuale.”
Lojërat Olimpike do të mbahen në Paris nga 26 korriku deri më 11 gusht 2024, pasuar nga Lojërat Paralimpike nga 28 gushti deri më 8 shtator. Programi i Lojërave Olimpike Verore 2024 do të paraqesë 329 gara, ndërsa Lojërat Paralimpike do të bashkojnë 4,400 atletë paraolimpikë nga 182 vende për më shumë se 500 ngjarje sportive. Konkursi pritet të ndiqet nga më shumë se 3.5 milionë spektatorë në mbarë botën.
Ceremonia e hapjes është planifikuar të fillojë më 26 Korrik 2024 në orën 19:30 dhe do të zhvillohet jashtë një mjedisi tradicional të stadiumit për herë të parë, me një paradë varkash përgjatë Seine nga Pont d’Austerlitz në Pont d’Iéna.
Spektatorët do të jenë në gjendje të dëshmojnë ngjarje para harkut në Hotel des Invalides, e ndërtuar në vitin 1687. Në kopshtet e Versajës do të zhvillohen gara kalorësie dhe Stade de France, me pistat e reja, do të jetë vendi i garave të atletikës. Stadiumi tashmë ka pritur Kupën e Botës në Rugby 2023 dhe turneun e futbollit Euro 2016.
Franca ka nënshkruar një marrëveshje me Europolin dhe Ministrinë e Brendshme të Mbretërisë së Bashkuar për të ndihmuar në forcimin e sigurisë dhe lehtësimin e shkëmbimit të informacionit operacional” dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për zbatimin e ligjit gjatë Lojërave.
Klan News