Klaus Gjasula, është një nga lojtarët për të cilët do të ketë ceremoni të veçantë para ndeshjes me Çekisë, pas tërheqjes nga Kombëtarja shqiptare.
Në “Klan News”, mesfushori zbuloi edhe arsyen përse vendosi të tërhiqet pas Europianit, duke thënë se donte të largohej me nder.
“Nuk e di çfarë më pret dhe si do jetë. Është kënaqësi që nga njëra anë qesh dhe qaj. Hera e fundit që do të jem në fushën e “Air Albania” dhe kënaqësia është e madhe.
Për mua është e rëndësishme, që nëse iki, të iki me nder. Të largohem në kohën dhe momentin e duhur. E kisha menduar para Europianit tërheqjen nga kampionati. Fizikisht nuk jam njësoj si më parë dhe për këtë arsye vendosa të tërhiqem nga Kombëtarja.”
Duke folur për ndeshjen e sotme ndaj Çekisë, Gjasula theksoi se Shqipëria duhet të jetë me fytyrë tjetër, në krahasim me ndeshjen e kaluar. Sipas tij, trajneri Silvinjo është një nga arsyet që kanë sjellë suksesin te kuqezinjtë.
“Tani në Ligën e Kombeve, janë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Presioni është gjithmonë. Pas ndeshjes në Çeki, duam të tregojmë një fytyrë tjetër. Kemi mungesa, por kemi kualitet dhe mendoj se do të na dalë mirë sot. Secila kombëtare mund të dalë në vendin e parë, por shpresoj në një rezultat pozitiv sot.
Nuk mund të them se më përpara me trajnerët nuk është punuar mirë. Silvinjo i përgatit ndeshjet shumë mirë. Të gjitha japin më shumë për suksesin dhe është kthyer rrota në anën tonë. Suksesi nuk vjen vetëm prej një gjëje. Silvinjo ka një pjesë të madhe të suksesit. Është puna, grupi, por duhet edhe fati. Çekët na kanë treguar se kanë ecur një hap përpara në krahasim nga kualifikueset. Unë e di që jemi përgatitur mirë. Urojmë të dalë sa më mirë.”
Gjasula u shpreh se Shqipëria mund të ketë sukses, vetëm nëse futbollistët luajnë si të bashkuar, ndërsa shtoi se ekipi i ka mundësitë të fitojë ndaj Çekisë dhe Ukrainës.
“Është e vështirë për të zgjedhur pikën e fortë. Në çdo repart kemi lojtarë të mirë dhe kualitet. Forca e kombëtares, është bashkëpunimi. Nëse luftojmë për njëri-tjetrin, jemi të fortë. Nëse luajmë secili për vete, nuk kemi sukses. Mund të fitosh një ndeshje ashtu, por të tjerat i humbet dhe duhet të jemi grup.
Para se të fillonte Liga e Kombeve, kisha thënë se Ukraina është më e vështira. Në ndeshjen e parë i gjetëm me probleme. Janë të dyja ndeshje shumë të vështira. Ne mund të fitojmë të dyja ndeshjet. Duhet të luftojmë dhe të japim maksimumin. Duhet edhe fati. Me mbështetjen e tifozëve, ndeshja është 51% me 49% për ne. Unë besoj se Shqipëria mund ta arrijë edhe Botërorin. Jemi në rrugëtim shumë të mirë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu. Varet edhe nga kundërshtarët që na bien”, deklaroi Gjasula.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Çekisë, do të transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan, duke nisur nga ora 20:45. /tvklan.al