Forcat detare të Kroacisë kanë mundur të gjejnë gomonen shqiptare të humbur prej të dielës në Adriatik. Lajmi konfirmohet nga shefi i policisë kufitare të Shkodrës, Besnik Zela.

Mjeti lundrues u pikas pranë ishullit korat të Mljetit, aty ku një ditë më parë u gjet i gjallë Romeo Pulizo dhe trupi i pajetë që mendohet të jetë i njërit prej dy vëllezërve Gjolaj, që gjendeshin në gomonen e nisur nga Vlora.

Identifikimi i kufomës pritet të bëhet nga pjesëtarë të familjes Gjolaj. Gomonia shqiptare u largua nga brigjet e Vlorës më 18 janar rreth orës 16. Kontakti i fundit me peshkatarët është bërë me anë të celularit nga familjarët e tyre në datën 20 janar.

Vetë Romeo Pulizo ka lajmëruar familjarët e tij duke thënë, se motori i gomones ishte fikur, dhe rryma e dallgëve dhe erës po e drejtonin mjetin në ujërat e Malit të Zi.

Bashkëshortja e tij bëri të ditur për policinë faktin e rrezikut që i kanosej tre peshkatarëve në gomone. Po në datën 20 gomonia kishte dhënë sinjalin SOS, i cili u kap nga një traget i linjës Ankona Durrës.

Aktualisht mjetet lundruese dhe ajrore vijojnë operacionet e kërkimet për personin e 3 që gjendej në gomone./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani