Një izraelit i zhdukur në Emiratet e Bashkuara Arabe është gjetur i vrarë. Zvi Kogan, 28 vjeç, një rabin ultra-ortodoks u zhduk të enjten.
Të shtunën, agjencia izraelite e inteligjencës Mossad tha se po hetonte zhdukjen pasi u ngritën dyshime se ai ishte rrëmbyer.
Ministria e Brendshme e Emirateve të Bashkuara e kishte shpallur 28-vjeçarin si të zhdukur dhe autoritetet e specializuara filluan menjëherë operacionet e kërkimit dhe hetimit pas marrjes së raportit.
Kogan jetonte në Emiratet e Bashkuara Arabe me gruan e tij Rivky, e cila është një shtetase amerikane.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar vrasjen e tij si një “akt të tmerrshëm terrorist antisemitik”.
“Shteti i Izraelit do të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për të sjellë para drejtësisë kriminelët përgjegjës për vdekjen e tij”, thuhet në deklaratën e kryeministrit.
Autoritetet në Izrael kanë këshilluar qytetarët e tyre të mos udhëtojnë në Emiratet e Bashkuara Arabe pas vdekjes së Kogan.
Edhe pse deklarata e Izraelit nuk i referohet Iranit, dyshohet se në këtë çështje mund të ketë dore inteligjenca iraniane, pasi ky shërbim sekret ka qenë më parë i lidhur me rrëmbimet në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se Irani drejton operacione të inteligjencës në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe mban kontrolle për qindra mijëra iranianë që jetojnë aty.
Ndërkohe, sulmet ndaj objekteve izraelite vijojnë edhe në vende te tjera. Një burrë është vrarë pasi hapi zjarr ndaj forcave të sigurisë në zonën e ambasadës te Izraelit në kryeqytetin jordanez, Aman, dhe tre anëtarë të shërbimeve të sigurisë u plagosën.
Klan News