Sekuestrimi i automjetit që i është vjedhur mesfushorit të Milanit në 2 Tetor të vitit 2006 në Itali, duket se do të zgjasë muaj të tërë para se ti kthehet të zotit.
Një ditë pas lajmit për gjetjen e makinës avokati Robert Karati, shpjegon anën ligjore dhe procedurale me të cilat do të ndeshet mesfushori në rast se vjen në Tiranë, për të tërhequr mbrapsht makinën e tij.
Robert Karati: “Për të sjellë gjithë këtë dokumentacion që i duhet, atij do i duhet 1 muaj deri në 6 muaj për ta marrë në rastin më të mirë. Avokati i Gatuzos në qoftë se do ketë, sigurisht që ka një të tillë nuk mund të vijë të legjitimohet këtu në vendin tonë pasi duhet të kapi një avokat shqiptar të legjitimohet, të paraqesë kërkesat dhe shumë mirë që e ka kapur problemin në momentin e parë sepse po të kalojë ky momenti i parë, të kishte filluar shqyrtimi gjyqësor atëherë atij do ti duhet edhe 2-3 vjet për të marrë makinën e vet. Gjë që do të thotë që makina shndërrohet, pëson dëmtime si nga erozioni ashtu edhe nga elementë të tjerë teknik.”
Sipas Karatit për shkak të këtyre procedurave të tejzgjatura, shumë prej pronarëve të ligjshëm nuk arrijnë ti marrin mjetet e tyre të kontrabanduara në Shqipëri, pas gjetjes së tyre nga policia.
Robert Karati: “Këtu nuk janë pak makina, janë shumë makina, shumë fare. Mendojmë që të hapim një zyrë që nëpërmjet internetit shtetasit e huaj ta dinë ku është kjo zyrë edhe të vijnë direkt të bëjnë kërkesën edhe veprimet të jenë shumë të shpejta. Jo të gjitha makinat që janë të vjedhura vijnë personat edhe i marrin, prandaj edhe legjislacioni i jonë këto makina nuk i nxjerr në ankand që është në defekt në ligj që duhet ti nxjerri në ankand, por i shet për skrap.”
Policia thotë se ka nisur procedurat ligjore për personin që zotëron makinën e vjedhur të Gatuzos. Ndërkohë që po hetohet edhe për të zbuluar mënyrën se si automjeti është cikluar dhe targuar në Shqipëri./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani