Pas tre ditë luftimesh Gjeorgjia i ka tërhequr trupat e saj nga Osetia Jugore.

Rusia tani ka nën kontroll kryeqytetin Tskhinvali ku pas disa të shtënave sporadike gjatë natës është kthyer qetësia.

Dhjetë mijë trupa ushtarakë rusë kanë hyrë në Oseti nga toka dhe deti. Moska ka paralajmëruar se është gati që t’i fusë trupat e saj më në perëndim të Gjeorgjisë duke dhunuar kështu integritetin territorial të saj.

Ndërsa ky konflikt rrezikon të kthehet në një vorbull të rrezikshme për të gjithë rajonin trupat ruse kanë bllokuar furnizimin me armë të Gjeorgjisë.

Ukraina ndërhyn dhe kërcënon se do t’u ndalojë përkohësisht luftanijeve ruse të dërguara në brigjet e Gjeorgjisë të kthehen në bazën ukrainase në Sevastopol.

Analistët thonë se Rusia po përpiqet të vendosë autoritetin e saj në territoret e ish-Bashkimit Sovjetik ku pretendon se njerëzit janë besnik Moskës sesa regjimit pro perëndimor të Tbilisit, i cili synon të futet në NATO.

Veprimet e Rusisë kanë provokuar një reagim të ashpër të Shteteve të Bashkuara, të cilët e konsideruan ndërhyrjen e Moskës si të ekzagjeruar, por kjo nuk ka penguar avionët rusë, të cilët kanë bombarduar një aeroport ushtarak në afërsi të Tbilisit dhe qytetin e Zubdidit.

Ka të dhëna për shumë dëme. Dhuna ka përshkallëzuar aq shumë sa kundër Gjeorgjisë është hapur dhe një front i dytë lufte në provincën tjetër gjeorgjiane filo-ruse, Abkazi, e cila ashtu si Osetia Jugore kërkon autonomi të plotë.

Gjatë luftimeve të ditëve të fundit sipas të dhënave ruse kanë humbur jetën mbi 2 mijë njerëz, ndërsa të dhënat e Tbilisit thonë se 200 ushtarë gjeorgjianë dhe 37 civilë kanë humbur jetën gjatë luftimeve.

Organizata e OKB-së për mbrojtjen e refugjatëve UNHCR thotë se rreth 24 mijë civilë kanë marrë arratinë dhe kërkojnë azil në Gjeorgji, ndërsa 5 mijë të tjerë kanë kaluar kufirin me Rusinë duke kërkuar atje strehim./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle