Gjergj Kastriot Skënderbeu është padyshim emri me të cilin krenohet çdo shqiptar, por edhe figura kombëtare që ka frymëzuar shumë popuj të tjerë.

Në kuadër të 28 Nëntorit, Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, Mehdi Afizi rrëfen për emisionin “Rudina” historinë e heroit tonë kombëtar.

https://youtu.be/zw0WUudoD2Y?t=1m4s

“Gjergj Kastrioti është marrë peng në kohën e Sulltan Muratit të 2-të sëbashku me dy vëllezërit e tij dhe dërgohet në Turqi, në Adrianopul në një shkollë ushtarake. Në atë shkollë kishte të rinj që ishin marrë nga territoret e pushtuara të Perandorisë Osmane. Ata nuk kishin njohje me njëri-tjetrin. Në Turqi i vendosën emrin Skënder, që në turqisht do të thotë Aleksandër dhe këtë e bënë për nder të Aleksandrit të Madh dhe për ta myslimanizuar, sepse ai ishte i krishterë. Më vonë ai shërbeu në sulltanat dhe mori gradën ushtarake “Beg” dhe “Pasha”,

tha Afizi.

Luftëtar i zoti, sy patrembur, por edhe shumë diplomat. Për 25 vjet, Kruja që ishte kryeqyteti i Arbërisë. U quajt nga shumë personalitete të kohës Akropoli i Kristianizmit në Europë, falë tij.

“Në daljen e fshehtë të kalasë, Gjergj Kastrioti Skënderbeu sëbashku me trimat e tij, me komandantët e kalasë kontrollonin me kujdes për ardhjen e Osmanëve, të cilët kanë qenë të shumtë në numër”

, tregoi ai.

Gjergj Kastriot Skënderbeu është cilësuar nga historianët si një nga katër gjeneralët dhe strategët më të zotë në historinë e botës pas Aleksandrit të Madh, Jul Çezarit dhe Napoleon Bonapartit.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu kthehet në Krujë më 28 Nëntor të vitit 1443. Nën udhëheqjen e tij organizoi 26 beteja për 26 vite duke fituar 24 dhe duke humbur vetëm 2”,

tha Afizi.

Gjergj Kastrioti u martua me Donika Arianitin, nga Kanina e Vlorës dhe bashkë patën një djalë, Gjonin, emrin e të cilit ia vunë në nder të të atit.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu u martua me Donikën, vajzën e Gjergj Arianitit, një nga gjeneralët që ishte komandant në kalanë e Kaninës. Gjergj Kastrioti kishte nxjerrë një ligj që çiftet, para se të martoheshin, duhet të tregonin se kishin mbjellë 20 rrënjë ullinj dhe 25 hardhi. Pasojë e këtij ligji ishte mbushja e Krujës me ullinj”

shtoi Drejtori i Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti”.

Skënderbeu ishte një strateg dhe takticien ushtarak mjaft i zoti, i cili me ushtrinë e tij arriti të shkatërrojë 20 ushtri të huaja. Dhe sipas Marin Barletit, ai gjatë gjithë jetës së vet vrau në beteja 3.000 persona.

/tvklan.al