Sipas sondazhit të ARD-Deutschlandtrend, gjermanët janë të pakënaqur me qeverinë e tanishme të partive SPD, FDP dhe “Të Gjelbrit“, që janë në pushtet që nga 8 dhjetori 2021. Aktualisht janë rreth 85% e gjermanëve të pakënaqur me performancën e qeverisë, ndërsa vetëm 14% e vlerësojnë pozitivisht punën e këtij koalicioni.
ARD-Deutschlandtrend bën sondazhe të këtilla për punën e qeverisë federale që nga viti 1997. Sondazhi i tanishëm është më i keqi për qeverinë që nga qershori i vitit 2010 kur qeverisë CDU/CSU dhe FDP i besonin vetëm 12%. Por edhe gjatë qeverisë SPD dhe të “Gjelbërve” në 2003 dhe 2004, ka pasur një kënaqësi shumë të vogël të zgjedhësve me qeverinë (11 dhe 13%).
Qeveria e Gerhard Schröderit e përfundoi mandatin e saj me zgjedhje të parakohshme në vitin 2005, kur CDU/CSU u futën në koalicion me SPD-në dhe erdhi në pushtet Angela Merkel. Ndërsa tani në fund të tetorit 2024, shumica e gjermanëve janë të mendimit se Gjermania duhet të shkojë në zgjedhje të parakoshme, sepse 54 për qind i mbështesin zgjedhjet e parakohshme. Vetëm 41% e të anketuarve mendojnë se koalicioni do të mbijetojë deri në zgjedhjet e rregullta në fund të shtatorit 2025.
Midis mbështetësve të partive SPD dhe të Gjelbërve në pushtet, shumica prej 77 dhe 76% janë në favor të mbetjes së koalicionit deri në zgjedhje. Nga ana tjetër, pothuajse të gjithë mbështetësit e AfD (93%) shpresojnë se qeveria do të bjerë dhe do të ketë zgjedhje të parakohshme. Në mesin e mbështetësve të Unionit (CDU/CSU), i cili prej muajsh kryeson në sondazhe, 69% dëshirojnë një fund të parakohshëm të qeverisë, ndërsa 75% e të anketuarve në Aleancën Sara Wagenknecht janë pro.
Nëse zgjedhjet parlamentare federale do të mbaheshin këtë të dielë, Unioni konservator CDU dhe CSU, do të merrte 34% të votave. SPD do të fitonte 165, të Gjelbërit 11% ndërsa FDP do të mbetej jashtë parlamentit, sepse do të fitonte vetëm 4%. AfD do të merrte 17% ndërsa Aleanca e Sara Wagenknecht 6%. Partitë e tjera do të merrnin gjithsej 12%.
Kur bëhet fjalë për vlerësimet personale, kancelari Olaf Scholz aktualisht ka mbështetjen e vetëm 19% të votuesve. Në krahasim me te, vlerësimi më i ulët i Gerhard Schröder ka qenë 24%, ndërsa Angela Merkel nuk ka pasur kurrë mbështetje më të ulët se 40% gjatë mandateve të saja.
Nga qeveria nuk pritet shumë
Unioni CDU/CSU ka aktualisht mbështetjen më të madhe që nga zgjedhjet e vitit 2021. Megjithatë, vetëm 23 për qind e gjermanëve besojnë se një qeveri e mundshme e Unionit CDU/CSU do t’i përballonte sfidat më mirë se qeveria aktuale. Ndërsa 16% mendojnë se do të ishte madje edhe më keq. Rreth 53% e të anketuarve mendojnë se do të njëjtë.
Në fushën e politikës ekonomike dhe fiskale, rreth 83% e të anketuarve janë të pakënaqur me punën e koalicionit. Pakënaqësia drejtohet veçanërisht ndaj partive që drejtojnë ministritë përkatëse: FDP dhe të Gjelbërve.
Tre të katërtat e gjermanëve janë të shqetësuar me situatën e tanishme ekonomike. Përveç kësaj, 44% shqetësohen se nuk do të jenë në gjendje të ruajnë standardin e tyre të jetesës, ndërsa 18% e punonjësve kanë frikë se mund të humbin vendin e tyre të punës.
Kur bëhet fjalë për subvencionet shtetërore për kompanitë që investojnë në Gjermani, 67% e konsiderojnë këtë si rrugën e duhur. 54% mbështesin uljen e taksave për kompanitë.
/Analiza e DW