Refuzimi i Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e 21 Prillit për shkarkimin e katër kryetarëve të komunave veriore në Kosovë ka vënë në lëvizje Gjermaninë.
Pas takimeve të zhvilluara në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe përfaqësues të Listës Serbe, i ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka deklaruar Kosova duhet të krijojë Asociacionin.
“Jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet. Tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, tha ai.
Sarrazin theksoi se nuk ka marrë ndonjë premtim nga liderët lokalë serbë për tërheqje nga bojkoti i tyre në zgjedhjet për shkarkimin ose jo të katër kryetarëve shqiptarë në komunat veriore.
Sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, diplomati tha se Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bakoyannis, pasi do vijojë procedura e votimit të Këshillit dhe pastaj do të merren të gjitha zhvillimet në konsideratë.
Tv Klan