Zbatimi i procesit të vettingut, si kusht për çeljen e negociatave, ka qenë tema kryesore e diskutimit mes kryeministrit Edi Rama dhe shefit të diplomacisë gjermane Sigmar Gabriel, paraditen e kësaj të premteje në Berlin.
Ministri i jashtëm Gabriel në një prononcim të shkurtër për mediat thotë se vlerëson reformat e bëra në vendin tonë edhe shprehet i vetëdijshëm se në prag të zgjedhjeve zbatimi i tyre nuk është shumë i lehtë edhe në vende si Gjermania.
“Unë dua t’ju falënderoj për reformat që tashmë jeni duke kryer dhe për angazhimin tuaj personal dhe qëndrimin tuaj në qetësimin e konflikteve në vendet fqinje. Në prag të proceseve zgjedhore e dimë që reformat nuk janë të thjeshta dhe ne në Gjermani, këtë e dimë mirë e megjithatë dimë që shumica e shqiptarëve dëshirojnë stabilizimin dhe avancimin e mëtejshëm”
Kryeministri nga ana e tij është i vetëdijshëm se përveç vettingut dhe reformës në drejtësi, vendi duhet të përparojë dhe me rekomandimet e tjera të Komisionit Europian.
“Mirënjohje, posaçërisht edhe për reformën themelore në drejtësi, ku falë mbështetjes suaj dhe mbështetjes së partnerëve të tjerë, ne jemi në një proces shumë të avancuar. Shpresojmë shumë që të jemi në lartësinë e sfidës, për të filluar zbatimin e reformës përmes Vettingu-t të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ashtu sikundër kërkohet dhe mirëkuptohet në rekomandimin e Komisionit Europian, për të mundur pastaj që të çelim negociatat me BE-në”.
Prej të enjtes kryeministri Rama ndodhet në Berlin me ftesë të fondacioni “Friedrich Ebert”./ TV KLAN