“Vazhdojmë me draftin tonë nëse PD nuk sjell propozimet”
Edhe një herë tjetër Këshilli Politik mbylli një mbledhje që nuk prodhoi asnjë dakordësi mes palëve. Përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri, deklaroi se opozita do që të minojë dhe të bllokojë ndryshimet kushtetuese.
Gjiknuri deklaroi se u ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës që të sjellin propozime reale.
“Unë prita nga PD, ata kundërshtuan me apriori. Propozimet në Këshill duhet të vijnë me shkrim dhe partitë të përcaktojnë qartë qëndrimin e tyre. Tentativa si këto janë për ta minuar këtë proces për të bllokuar hyrjen në fuqi apo zbatimin e amendimeve kushtetuese nëpërmjet kodit zgjedhor. Nuk do ta lejojmë këtë. Ligji duhet të plotësohet. I mirëpresim deri ditën e fundit. Procedura në parlament ka filluar. Jemi të gatshëm për të punuar 24 orë”, tha Gjiknuri.
Ai u shpreh se qeveria është e gatshme të punojë 24 orë për një zgjidhje të përbashkët, por nëse opozita nuk sjell propozimet, drafti i Partisë Socialiste do të vazhdojë punën në komisionet përkatëse për të kaluar më vonë në Kuvend.
“Natyrshëm që ne nuk do të lejmë vakum ligjor. Do të bëjmë çmos që të gjejmë zgjidhje, por nëse nuk duan të prononcohen ne do të vazhdojnë. Këshilli politik është krijuar për shkak të dëshirës së mirë të mazhorancës për të komunikuar me një palë që nuk është në parlament. Ne përtej edhe pse kishim rekomandimin e ODIHR zgjodhëm të plotësojmë kërkesat e PD-së”, tha Gjiknuri.
Ai shtoi se listat e hapura të propozuara nga PS-ja janë zgjidhja e duhur për Shqipërinë. /tvklan.al