Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri i ka konsideruar si një fushatë shpifjesh ndaj reformave dhe integrimit të vendit, akuzat e opozitës lidhur me përfshirjen e ministrave socialistë në afera mafioze. Nga Selenica e Vlorës, ku ndodhej në turin e takimeve të llogaridhënies, Gjiknuri tha se ankesat pranë autoriteteve të huaja që është duke bërë Partia Demokratike, ka vetëm një qëllim: frenimin e hapjes së negociatave.
“
Kanë filluar një fushatë shpifjesh, sulmesh denigruese ndaj qeverisë. Shkojnë dhe ankohen tek të huajt. E filluan me ish Ministrin e Brendshëm, e vazhduan me Ministrin aktual të Brendshëm, tani po dalin po më sulmojnë edhe mua.”
Ai vazhdoi më tej duke thënë se jo më kot zgjidhen figura të rëndësishme të Partisë Socialiste për t’u sulmuar.
“Po të shikoni, ata njerëz sulmojnë të gjithë ministrat dhe deputetët kryesorë të Partisë Socialiste, të gjithë njerëzit që kanë një peshë elektorale, që kanë kontribuar për fitoren e PS-së. Qëllimi i Partisë Demokratike është nxirja, goditja me lloj-lloj shpifjesh.”
Një ditë më parë Gjiknuri u sulmua nga Lulzim Basha për afera me kromin, por në kundërpërgjigje tha se kreu i demokratëve përdor për politikë fatkeqësitë njerëzore.
Tv Klan