Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive të Tiranës këtë pasdite. Gjatë fjalës së tij, kryesocialisti është shprehur se në vitin 2030, Shqipëria do të jetë 100% e pavarur përsa i përket energjisë. Madje, Rama ka shtuar se do të kemi energji edhe për të jua shitur të tjerëve.

Edi Rama: Dritat nuk t’i jep Zoti, t’i jep OSHEE dhe OSHEE-së ja jep KESH-i dhe KESH-it ja jep hidrocentrali dhe hidrocentralit ja jep uji dhe ujin ta sjell Zoti kur qan shumë. Po nuk qau Zoti dhe nuk ke ujë, ti nuk ke drita, prandaj duhet të dalësh jashtë shtetit dhe ta blesh e ta sjellësh këtu energjinë për dritat. Dhe kur Zoti qan gjithë vitin, ne arrijmë të prodhojmë 75% të nevojave, 25% duhet të dalim ta blejmë jashtë. Kur Zoti qesh dhe nuk ka shi, ne shkojmë deri në 25 % blerje jashtë. Jemi mbi 10% të kapacitetit të përgjithshëm me diell, do të shkojmë në 30.

Ajo vizita me Presidentin e Emirateve, ajo i vuri vulën marrëveshjes për lidhjen me kabullin nënujor të transmetimit të energjisë me Italinë dhe për një investim masiv të përbashkët të Emirateve dhe Shqipërisë në prodhimin e energjisë diellore që ne do të na bëjë në vitin 2030 jo vetëm që të jemi 100% të pavarur dhe të mos kemi nevojë për asnjë njeri, ne për energji nuk ja shtrijmë më dorën njeriut dhe nuk e blejmë më nga jashtë, por do të kemi energji dhe për të jua shitur të tjerëve falë asaj marrëveshje dhe për herë të parë në histori do të jemi të pavarur në energji.

Gjatë fjalës së tij, Rama është ndalur edhe tek furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm teksa ka bërë një krahasim me Shqipërinë e 10 viteve më parë përsa i përket këtij aspekti.

Edi Rama: 10 vite janë bërë më shumë gjëra se në të gjitja vitet e marra së bashku. Këtu ku jemi ne uji ka qenë me orare, kështu ka qenë e gjithë Shqipëria. Nuk ka pasur ujë 24 orë në kohë të komunizimit. Të ndërtosh një sistem uji, të ndërtosh një shtet më vete. Po flasim akoma për ujin sepse ne kemi vetëm 1 dekadë në qeveri dhe kur ne kemi ardhur në krye të këtij vendit, ka pasur vetëm 4 zona urbane me 24 orë ujë dhe këtu në Tiranë ka qenë vetëm 1 zonë e vogël urbane me 24 orë. Sot janë 43 zona urbane me 24 orë ujë. Puna për ujin 24 orë, vazhdon dhe vazhdon. Ky është realiteti i punës. Nëse do e bënim mbledhjen, do e bënim me gjenerator.

/tvklan.al