Kryeminstri i vendit, Edi Rama ka zhvilluar takim me asambletë socialiste të disa njësive të Tiranës këtë pasdite. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë është ndalur edhe tek paga mesatare për të cilën është shprehur se qeveria e tij e ka kaluar objektivin e vendosur.
Rama ndër të tjera ka theksuar se është i vetëdijshëm që duhet të bëjnë akoma më mirë në sektorin e ekonomisë, teksa shtoi se bonusi i pensionistëve është një pikë pozitive në këtë fushë.
“Le të çohet një dhe të thotë që unë e dija që në vitin 2024 paga mesatare në sektorin publik do të shkonte 930 Euro. Nuk besoj se çohet ndonjë të thotë sepse as ne dhe asnjë parti politike tjetër nuk e kishin këtë objektiv dhe ne e kemi kapërcyer objektivin tonë dhe paga mesatare sot në sektorin publik është 930 Euro, por jo vetëm kaq. Kur ne morrëm detyrën edhe paga më e ulët e kishte taksën 10%. Sot 57% e pagave nuk kanë fare taksë. Taksa mbi 10% fillon me 1300 Euro pagë, ndërkohë që deri aty është 4-10%. Po mirë por çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që çdo vit duke hequr atë taksë ju kemi lënë njerëzve nga paga 140 milion Euro në vit që në 10 vite janë 1.4 miliardë Euro që shteti ka thënë mbani ju për familjet tuaja.
Besoj që këto janë gjëra domethënëse edhe pse kur vjen puna te ekonomia gjithë thonë ka edhe më mirë. Patjetër unë jam i vetëdijshëm që jo vetëm ka edhe më mirë, por duhet bërë edhe më mirë. Jam i vetëdijshëm edhe për debatin me pensionistët, por të kemi parasysh që nëse ne bëjmë me pensionistët gabimet që janë bërë në të kaluarën, ne nuk do ta bëjmë detyrën tonë karshi fëmijëve tanë dhe do t’jua lejmë atyre në kuriz atë që ata në të kaluarën, flas për kënetën, bën kur nxorrën në pension masivisht një dynja të tërrë se i vunë flakën fabrikave, uzinave dhe tymin gjithë industrisë ushtarake që po të ishim kujdes atëherë do të kishim një komplet tjetër bazë dhe nxorri në pension popullin nga 40 vjeç e lartë.
Këtu ti bën një padrejtësi shumë të madhe në raport me ata që kanë paguajtur sigurime dhe e dyta ti i hap popullit dhe vendit tënd këtë problem që ne e kemi në mesin tonë dhe nuk duhet të bijem në tundimin që ta zgjidhim siç e zgjidhin ata duke thënë që hajt se po ju japim ca Lekë ekstra sepse pastaj do jua lejmë fëmijëve tanë. Nuk funksionon, por ama nga ana tjetër ne jemi të vetëdijshëm që pensionistët duhet të kenë më shumë mbështetje dhe prandaj e para ne ju kemi dhënë një bonus që më para nuk e kishim imagjinuar. Të dyja këto bonuse janë 160 e kusur million Euro”, u shpreh Rama.
/tvklan.al