Atalanta u eliminua nga Liga e Kampioneve me një nga paraqitjet e saj më të këqija të sezonit, ku u mposht në shtëpi me rezultatin 3-1 nga Klub Bruzh.
Bergamaskët pësuan tre gola nga tre aksione të kundërshtarëve. E për mbrojtësin Berat Gjimshiti, diçka e tillë është e pafalshme. Lojtari i Kombëtares Shqiptare analizoi pas takimit paraqitjen e skuadrës në fushë.
“Është e vështirë të gjesh fjalët, sepse dhemb të eliminohesh kështu! Komplimente rivalëve, pasi u treguan cinikë dhe shfrytëzuan çdo mundësi. Ata u mbrojtën mirë dhe më pas na ndëshkuan, tre kundërsulme, tre gola. Por gjëja më e rëndësishme për ne është që askush nuk u dorëzua. Ne do të vazhdojmë të luftojmë për pjesën tjetër të sezonit”.
Për Atalantën në këtë sezon, përqëndrimi do të jetë vetëm Serie A.
Gjimshiti tregon se synimi i bergamaskëve është që të dalin në katërshen më të mirë.
“Tani të rikarikojmë bateritë dhe të nisim përsëri! Të marrim ndeshjet me radhë! Ta lëmë pas këtë zhgënjim dhe të fokusohemi te kampionati. Objektivi ynë është i qartë: ne duam të kthehemi në Ligën e Kampioneve nëpërmjet Serie A. Por për ta bërë këtë duhet të mësojmë nga kjo humbje dhe të përmirësohemi”.
Zhgënjimi është i madh, por Gjimshiti dhe shokët e tij e dinë se kanë ende një shans për të treguar veten.
Pas 25 javëve të luajtura në Serie A, Atalanta gjendet në kuotën e 51 pikëve në vend të tretë në renditje. Diferenca me vendin e parë që mbahet nga Napoli është 5 pikë.
Klan News