Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Partia Socialiste tashmë ka shpallur platformën e saj elektorale, madje ka ftuar dhe partitë e tjera të koalicionit, që e ndiejnë veten afër kësaj platforme, të bashkëpunojnë me të. Si e komentojnë këtë alternativë bashkëpunimi përfaqësuesit e koalicionit?  Kryetari i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi shprehet:

Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD:- “Ne vlerësojmë që, sidomos PS dhe PSD duhet të jenë bashkë dhe do urojmë që edhe partitë e tjera të mbështesnin përsëri koalicionin”.

Gazetarja:- Ju flisni për një bashkëpunim dysh brenda koalicionit Aleanca për Shtetin, ku janë në këtë bashkëpunim partitë e tjera?

Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD:- “Sepse siç thashë PS dhe PSD, janë shprehur nëpërmjet kongresit të tyre, që janë gati për bashkëpunim”.

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut Vasil Melo, e quan absurde thirrjen e PS, për të bashkëpunuar nën platformën e saj.

Vasil Melo, Kryetari i PBDNJ:- “Partitë tona janë parti me një identitet të caktuar politik, parti që kanë një program të tyre dhe njëkohësisht kanë shprehur qartë edhe drejtimet e tyre politike”.

Melo mendon se partitë e koalicionit, duhet të hartojnë kodin e tyre elektoral, ndërsa shton se më e rëndësishme, mbetet mënyra se si do i ndajnë bashkitë dhe komunat. Ndërkaq Melo propozon.

Vasil Melo, Kryetari i PBDNJ:- “Në qoftë se ka 60 bashki, në 40 bashki do të vendos kandidaturat e saj PS, në ato bashki të tjerat do të kemi dhe ne partitë e tjera vendin tonë”.

Kryetari i Partisë Aleanca Demokratike Neritan Ceka, i cili ka deklaruar se partia e tij do të dalë vetëm në zgjedhjet e pushtetit lokal, nuk e paragjykon bashkëpunimin e partive nën platformën e PS.

Neritan Ceka, Kryetar i PAD:- “Edhe eksperienca e ka treguar që kur bashkohesh me një parti të madhe gjithmonë humbet, por edhe kur bashkohesh me një parti të vogël përsëri humbet. Prandaj mendojmë që t’i largohemi politikës së hileve dhe të klientelizmit”./tvklan.al

Gazetare – Mimoza Picari