Facebook ka prezantuar një mundësi të re që u lejon përdoruesve të fitojnë para nga postimet në ‘Story’.
Opsioni i monetizimit global është i disponueshëm për të gjithë përdoruesit me statusin ‘creators’ që janë pjesë e programit Facebook Content Monetization.
Me këtë risi, gjiganti i medias sociale dëshiron të ofrojë një burim të ri të ardhurash për përdoruesit duke i nxitur që të postojnë më shumë.
‘Creators’ mund të monetizojnë përmbajtjet ekzistuese
Përdoruesit mund të fitojnë para nga përmbajtjet që krijojnë dhe shpërndajnë duke i postuar në Facebook Story. Për shembull, nëse një ‘creator’ bën një Reel, mund të shpërndajë një pjesë të tij në Story për të fituar para. Kjo vlen edhe për përmbajtjet e tyre të zakonshme.
Nuk ka prag për përfitimet
Pagesat përcaktohen nga performanca e ‘Story’-ve. Përdoruesit mund të fitojnë para pa pasur nevojë që të arrijnë një prag specifik për shikimet. Kjo strategji e re synon të tërheqë ‘creators’ të TikTok në Facebook dhe Instagram duke u ofruar bonuse financiare, marrëeshje për përmbajtjen dhe mbështetje në rritjen e komunitetit të tyre.
Programi i monetizimit
Përdoruesit e regjistruar në programin Facebook Content Monetization që kanë të aktivizuar monetizimin e përbajtjes nuk duhet të bëjnë ndonjë veprim shtesë. Programi i prezantuar vitin e shkuar sjell reklama gjatë transmetimeve, Reels dhe bonus për performancën. Me testimin te pjesëmarrësit beta, Facebook tani po aktivizon monetizimin e Story për të gjithë përdoruesit.
Planet e ardhshme
Në 2024, miliona ‘creators’ u ftuan për t’iu bashkuar programit. Facebook mendon që këtë vit të ofrojë regjistrim të hapur. Përdoruesit që s’janë pjesë e programit mund të shprehin interesin përmes një ftese në faqen e internetit të programit. Që prej vitit 2017 kur prezantoi monetizimin, Facebook ka paguar mbi 4 milionë përdorues dhe thanë se gjatë 2024-ës, ata kanë fituar mbi 2 miliardë dollarë nga platforma.