Ajo ishte një nga gazetaret më të njohura, kurse ai në fillimet e tij si diplomat. Takimi i tyre i parë ishte redaksia e gazetës “Koha Jonë”. Jonila Godole në atë kohë vetëm 22-vjeçe dhe Christian Steiner, nuk e dinin se ai takim pune do të hapte rrugën e një historie dashurie. Një histori dashurie aspak e lehtë, por e vërtetë, e cila në fund e gjeti rrugën e duhur.
E ftuar në studion e “Rudina” në Tv Klan, Jonila Godole vjen me një rrëfim ndryshe, duke kujtuar vitet e vështira të asaj kohe. Një vajzë e re dhe me shumë ambicie, së cilës gjëja e fundit që i shkonte nëpër mend ishte të dashurohej.
Rudina Magjistari: Si ka nisur njohja juaj sepse ka shumë etapa në këtë histori kaq shumë të gjatë?
Jonila Godole: Nuk e kisha menduar atëherë që në moshë aq të re, isha 22 vjeç, isha ndërkohë gazetare, ishim shumë pak gazetare femra në atë kohë. Isha shumë e zënë në atë të përditshmen time, me biçikletë rrugëve të Tiranës për të kërkuar lajmin, intervistat dhe nuk e kisha besuar ndonjëherë që në atë moshë unë njoha personin e jetës sime, por nuk e kuptova. Sepse kur je shumë i ri në atë dinamikën që kishe sidomos në vitet ’90, sidomos për një vajzë të re që kërkonte të bënte karrierë. Kur ne u njohëm ishte Christiani në fakt që vjen në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”, por pastaj kisha harruar shumë detaje të cilat ai mi kujtoi. Ai kërkoi një takim me mua si një gazetare e njohur që isha atëherë, për të folur për problematikat që ishin në Shqipëri, siç duket ai pati një simpati më të madhe, unë në fakt isha shumë profesionale. E takova disa herë, u takuam shpesh deri në Mars të ’97 dhe kishte një simpati të dyanshme. Kishte diçka, por ishte absolutisht e pabesueshme për mua që në atë moshë shumë të re dhe në fillim të ’90-ës, në ato vite ku ne kishim të tjera probleme.
Rudina Magjistari: Këtë simpati patët mundësi t’ia shprehnit njëri-tjetrit në atë kohë apo thjesht e ndienit?
Jonila Godole: Jo në mënyrën siç mund ta kishim shprehur sot dhe siç sot të rinjtë e shprehin sepse ishte një kohë tjetër. Unë isha një vajzë e një shoqërie të sapo dalë nga diktatura, ku ty as nuk të shkonte ndër mend që një person i huaj, ishte i pari person i huaj që ti uleshe dhe e takoje dhe flisje. Kemi qenë një shoqëri shumë e kompleksuar, shumë e mbyllur. Takoheshim një herë në javë, ndonjëherë edhe më shpesh, por ishin thjesht takime pune, por filluan të bëheshin pak dhe më personale. Ndanim të njëjtat interesa për muzikën dhe për gjërat e tjera, në fakt aty e pashë që biseda me të ishte shumë e lirshme. Ndërkohë që me kolegët e mi dhe me të tjerë po themi më duhej që të mos i thoja të gjitha ato që unë mendoja, pasi thjesht nuk ishte i njëjti komunikim shumë i lirshëm. Nisi si diçka profesionale, ishte diçka miqësore në momentin kur mund të kishte qenë më shumë. Atëherë ndodhi ’97, ndodhën të gjitha trazirat e Marsit dhe trupi diplomatik u evakuua.
Edhe pse rrethanat e asaj kohe i ndanë pa pasur mundësinë që t’i shprehnin njëri-tjetrit atë se çfarë kishin në zemër, dashuria, por ndoshta dhe fati, i ribashkoi në një kohë krejt ndryshe. Megjithatë gazetarja shprehet se edhe pse kishte vite pa e takuar ai kishte qenë gjithmonë në mendjen e saj, ishte po ai Christiani i sjellshëm dhe serioz që takoi kur ishte vetëm 22 vjeçe.
Rudina Magjistari: U zhvendos. Në atë kohë Christiani ishte një diplomat i ri në karrierë apo jo?
Jonila Godole: Christiani sapo kishte nisur karrierën e tij dhe është shumë interesante sepse asnjë nuk donte që të vinte në Shqipëri, të gjithë zgjidhnin vende të tjera dhe ky ishte i vetmi që tha “unë dua të iki në Shqipëri”. Pas Shqipërisë ai ka një karrierë shumë të gjatë, që pas vitit ’96 që ka filluar. Pastaj u rikthye këtu në vitin 2019.
Rudina Magjistari: E riemërojnë? Këtë herë vjen si ambasador i Austrisë në Shqipëri.
Jonila Godole: Po. Ndërkohë ne nuk kishim pasur asnjë kontakt në 22 vite. Duhet ta pranoj që në muajt e parë e sidomos në vitet e para, unë u largova në fund të ’97-ës në Gjermani, aty fillova jetën time. Christiani vazhdoi karrierën e vet dhe gjithmonë e mendoja. Kur gjërat nuk funksiononin në jetën time thoja “si do të kishte qenë jeta ime nëse do të kishim pasur një histori,” pra nëse do të ishte thelluar lidhja jonë. Ai ishte djalë shumë serioz atëherë gjë që nuk e shihja tek shqiptarët që i kisha vërdallë në atë kohë. Unë e ndjeja veten shumë të vrazhdë, gjithë koha e ’97, gjithnjë e kam menduar që më bëri edhe më të vrazhdë./tvklan.al