Ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako është paraqitur në Gjykatën e Posaçme për seancën paraprake pas lirimit në datë 27 shkurt. Kjo është hera e parë që Dako shfaqet në Gjykatë pas lirimit të tij. Pas daljes nga seanca ish-kryebashkiaku nuk pranoi që të bente asnjë koment për mediat.
Burime bëjnë me dije se brënda seancës ka patur debate të shumta sa i takon akt-ekspertizës financiare për ndërtimin e shëtitores në Durrës. Nga akt-ekspertiza rezulton që dëmi fianciar është rreth 6.3 milion lekë. Të njëjtat burime konfirmojnë që në sallën e gjyqit, Dako ka kundërshtuar akuzat e SPAK për “Shpërdorim të detyrës” në dy raste.
Të gjitha debatet lidheshin me dëmin financiar të shkaktuar Bashkisë Durrës. Në fillim dëmi ishte përllogaritur rreth 18 milion lekë. Akt-ekspertimi u bë për procedurën e prokurimit të shërbimit konsulencë për projektin e Promenadës Bregdetare dhe plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, të cilës iu rrit vlera. Episodi i dytë ka të bëjë me ndërtimin e një pallati pa leje teksa leja u aprovua pasi përfundoi ndërtimi, madje edhe pasi ishte marre në dorëzim nga blerësit.
Seanca e radhës është caktuar më 17 Prill, ku pritet të vendoset përfundimisht nëse dosja e ish-kryebashkiakut Vangjush Dako do të kalojë apo jo për gjykim.
Klan News