“Bllokohet procesi i ngritjes së Gjykatës së Lartë”
Pa u bërë një muaj nga hyrja në fuqi e ndryshimeve në Kodin Elektoral sipas marrëveshjes së 5 Qershorit, Ministria e Drejtësisë kërkon amendim të nenit 149 të tij, pasi mendon se është antikushtetuese.
Neni në fjalë parashikon se gjyqtari i Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor nuk mund t’i nënshtrohet hetimit ose procedimit disiplinor, si dhe gjatë kësaj kohe, nuk mund të lëvizë nga kjo detyrë në mënyrë të përkohshme ose të përhershme.
Një nen ky që u miratua për t’i dhënë anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor një mbrojtje të posaçme në mënyrë që të ishin të pandikueshëm nga politika.
Por për Ministren e Drejtësisë, ky nen bie ndesh me Kushtetutën, e cila parashikon se çdo gjyqtar mban përgjegjësi disiplinore sipas ligjit, por dhe me ligjin për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë që mund të filloje hetim disiplinor për të gjithë gjyqtarët e të gjitha niveleve. Sipas saj, në këtë mënyrë këta gjyqtare vendosen në pozita të privilegjuara.
Gjithashtu Gjonaj, në shkresën e vet dërguar Kuvendit, thekson se sanksionimi në ligjin zgjedhor i pamundësisë për t’i lëvizur këta anëtarë gjatë mandatit 4-vjeçar ndikon edhe procesin e plotësimit të vendeve vakante në Gjykatën e Lartë.
Kjo pasi disa nga anëtarët e përzgjedhur nga shorti në Kolegjin Zgjedhor kanë aplikuar edhe për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Numri i ulët i aplikantëve, në këndvështrimin e Ministres Gjonaj krijon vështirësi në përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe më pas, për rrjedhojë edhe plotësimin e Gjykatës Kushtetuese.
Por që propozimi i Ministres së Drejtësisë, që thotë se është konsultuar dhe me misionet ndërkombëtare, të merret parasysh, më parë duhet të marrë pëlqimin e Këshillit Politik, pasi ndërhyrje në këtë nen të Kodit Zgjedhor do të cilësohej prishje e marrëveshjes së 5 Qershorit.
Tv Klan