Deputeti Kujtim Gjuzi është shprehur kundër kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, pasi sipas tij ky i fundit e kishte njoftuar vonë që nuk do të kishte seance javën e kaluar.
Po ashtu Gjuzi tregoi se me vete kishte një kasetë, e cila tregonte se drejtori i spitalit të Krujës u kërkon mjekëve të dërgojnë pacientë në spital dhe shtoi se do ia vë ministres në dispozicion.
“Ju sjell në vëmendje se këtu kam një kasetë të drejtorit të spitalit Krujë, që iu kërkon mjekëve t’i çojnë pacientët dhe pikërisht ndjej keqardhje për ketë. Do ia vë ministres sot në dispozicion këtë kasetë. Mjeku gjinekolog Leonard Spaho largohet nga Spitali i Krujës, kur në spital ka dy mungesa. Pse duhet të ndodhë kjo?”, u shpreh deputeti.
Kreu i Kuvendit iu përgjigj Gjuzit duke i thënë se ai ka komunikuar vetëm masat e marra nga Komiteti i Ekspertëve.
“I kam drejtuar një kërkesë Komitetit të Ekspertëve dhe ministres. Ditën e hënë ata më kanë kthyer përgjigje, ku thonë se në aktin e nxjerrë nuk është përfshirë Kuvendi dhe bëjnë edhe argumentimet përkatëse, që Kuvendi të vazhdojë punën me tre kërkesa: të ruajë të gjitha masat, të mbajë maskat dhe të ulë kohën e qëndrimit në sallë në seanca plenare. Për këtë arsye e ulëm kohën nga 4 orë në 3 orë”, u shpreh Ruçi./tvklan.al